Veseli merr në fushatë Ramadan Mujën

Veseli merr në fushatë Ramadan Mujën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, nga Prizreni javë më parë kishte dhënë një mesazh të fortë, se të gjithë ata që kanë shkelur ligjin nuk do të jenë më pjesë e partisë ku ai drejton.

Veseli edhe sot vizitoi Prizrenin, aty e prezantoi kandidatin e PDK-së për kryetar komune, Shaqir Totajn. Por Veseli gjatë kësaj fushate kishte fjalë të tjera, madje Veseli me veti e morri edhe ish-kryetarin e kësaj komune, Ramadan Mujën rasti i të cilit është në rigjykim, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

“Kryetarin aktual e kemi pas të mirë por shpresojmë se edhe kryetarin e ardhshëm nxënësi i tij (Shaqir Totaj) do të jetë edhe ma i mirë”, thoshte një qytetar në Prizren. Kjo fjali i shkaktoi të qeshura Veselit

Por rreth dy javë më parë Veseli ishte në një disponim tjetër, ai kishte qenë i rreptë me anëtarët të cilët janë të dënuar ai kishte thënë se ai që shkel ligjin nuk do të jetë më pjesë e PDK-së.

“Nuk do t’i tolerojmë fenomenet e përgjegjësisë politike, askush nuk do të jetë me ne prej atyre që shkelin ligjin”, kishte deklaruar Veseli në Prizren.

Ramadan Muja ishte akuzuar nga EULEX-i për keqpërdorim të detyrës zyrtare bashkë me pesë zyrtarët komunalë, rasti i të cilit është aktualisht në rigjykim.

Kujtojmë se pas 10 vjetësh udhëheqje me komunën e Prizrenit, PDK-ja zgjodhi që të mos e kandidonte më Ramadan Mujën për kryetar. Në vendin e tij, partia e Kadri Veselit e ka kandiduar për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totajn./Insajderi.com