Veseli nënshkruan marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe

Veseli nënshkruan marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka nisur vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në ditën e parë ai është pritur nga homologia e tij Amal Abdullah Juma Karam Al Qubaisi, me të cilën kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi ndërparlamentar, i cili ka për qëllim thellimin e marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

“Kosova edhe pse është vend i vogël, mund të konsiderohet si model i identitetit, multikulturalizmit dhe i bashkëjetesës. Ne jemi të hapur dhe dëshirojmë të thellojmë bashkëpunimin ekonomik me Republikën e Kosovës duke nxitur investitorët tanë të investojnë në Kosovë”, ka thënë zonja Amal Abdullah Juma Karam Al Qubaisi.

Ndërsa, Veseli ka falënderuar Emiratet e Bashkuara Arabe për ndihmën e dhënë për Kosovën gjatë dhe pas luftës, si dhe për gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

“Tani është hapja e një epoke të re të një marrëdhënie me një vend i cili është shembull i zhvillimit ekonomik, në të njëjtën kohë edhe i tolerancës. Kemi të bëjmë me inciativa të drejtpërdrejta në Republikën e Kosovës nga Emiratet e Bashkuara Arabe që ta sjellin përvojën e tyre dhe në të njëjtën kohë kapitalin në vendin tonë. Shpresoj shumë se në përfundimin e kësaj vizite do të kemi edhe rezultate konkrete që ndërdhen me investime shumë milionëshe në Republikën tonë”, ka thënë Veseli.

Pas takimit me homologen e tij, kryeparlamentari Veseli ka takuar ministrin e shtetit për Punë të Jashtme, Dr. Anëar Bin Mohammed Gargash, me të cilin kanë diskutuar për bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve në politikën e jashtme.