Veseli flet me shefin e OSBE-së për Demarkacionin e Asociacionin

10.03.2017 19:45
Veseli flet me shefin e OSBE-së për Demarkacionin e Asociacionin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, ambasadorin Lamberto Zannier, të cilin e ka falenderuar për mbështetjen e vazhdueshme të Misionit të OSBE-së për Kosovën.

Veseli ka çmuar lart këtë mbështetje, sidomos në ndërtimin e institucioneve demokratike.

Ai e ka konsideruar të nevojshme vazhdimin e bashkëpunimit me këtë mision, në funksion të forcimit të mëtejmë të demokracisë dhe ofrimit të asistencës në shumë sfera.

Veseli e ka njohur  Zanier edhe me zhvillimet aktuale në vendin tonë, me theks të veçantë për çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, duke e konsideruar të rëndësishme ratifikimin e marrëveshjes.

Lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kryeparlamentari Veseli tha se ai do të themelohet në pajtim me Kushtetutën dhe mendimin e Gjykates Kushtetuese

Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Zanier, nga ana e tij, konfirmoi përkushtimin e misionit të OSBE-së për të vazhduar mbështetjen për institucionet e Kosovës edhe në të ardhmen.