Veseli flet për “Dosjen e Shefave” – e pranon se ndodhin punësime partike

Veseli flet për “Dosjen e Shefave” – e pranon se ndodhin punësime partike

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se nuk dëshiron të ndërhyjë në aktakuzën për rastin “Pronto”, në të cilën janë të përfshirë edhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci dhe ministri i Inovacionit, Besim Beqaj, po ashtu pjesë e partisë së Veselit.

Veseli tha në Rubikon të televizionit Kohavision se nuk do të ndërhyjë në këtë proces dhe se ky është qëndrim i Partisë Demokratike të Kosovës.

“Nuk është mirë disa të tregohen më katolikë se Papa”, deklaroi Veseli duke ju drejtuar subjekteve të tjera politike, e qe sipas tij, në këtë aspekt nuk qëndrojnë më mirë.

Ai tha se do të mundohet ta ndryshojë procesin e punësimeve partiake.

“Secila parti, qoftë në Komuna qoftë në dikastere qendrore e kanë ndërtuar një praktikë kur militantë partiakë shkojnë më tepër dhe orientohen atje për tu emëruar atje. Nuk e pranoj si fakt dhe jam duke u munduar ta ndryshoj”, ka thënë ai.

Veseli është vet i përfshirë në skandalin e përgjimeve “Dosja e Shefave”, por ndaj tij nuk është ngritur aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit.

Përgjimet e siguruara nga Insajderi dëshmojnë se Veseli, aktualisht kryetar i partisë më të madhe në vend, dhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, ishte shumë aktiv në prapaskenën e  jetës politike dhe në vendimmarrje.

“Ti i merr vendimet, unë i zbatoj”, i thoshte Grabovci Veselit.

Në periudhën kohore prej dy muajsh, Grabovci flet shpesh me Veselin në telefon. Mirëpo, Veseli është shumë i kujdesshëm në ato që thotë. Nuk përmend emra, nuk përmend institucione, e as veprime që do të mund t’i faturoheshin si ndërhyrje direkte.

Gjuha e tij është e koduar. /Insajderi.com