Veseli e pranon: I kemi fryrë listat e veteranëve, por i kemi mbyllur sytë

Veseli e pranon: I kemi fryrë listat e veteranëve, por i kemi mbyllur sytë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe kryetari i Partisë Demokratike Kadri Veseli ka bërë një deklaratë përmes së cilës ka pranuar se partia e tij dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me të cilën kanë qenë në koalicion qeverisës në mandatin e kaluar së bashku kanë mbyllur sytë për fryrjen e listave të veteranëve.

Një deklaratë të tillë Veseli e ka dhënë sot në Kuvendin e Kosovës teksa i është përgjigjur akuzave të deputetit të LDK-së, Lumir Abdigjiku, i cili akuzoi Veselin dhe presidentin Hashim Thaçi se kanë fryrë listat e veteranëve.

“Ti po mendon që janë fry listat a? Janë fry shumë. Unë kom qenë pjesë e koalicionit të kalum. A e din sa e sa lista janë fryre nga partia e juaj. Me qindra vetë. Të cilët kurrë nuk kanë qenë në luftë. E kemi bërë për hir të pajtueshmërisë. Edhe dëgjo, i kemi mbyllur të gjithë sytë”, ka thënë Veseli, raporton Insajderi.

Sipas Veselit, për këtë arsye ai edhe ka thirrur publikisht Prokurorinë që ta hetojë fryrjen e listave teksa debati mes tij dhe Abdigjikut ka vazhduar duke e akuzuar njëri-tjetrin se janë fajtor për listën e fryrë të veteranëve të luftës.

Sipas të dhënave nga lista aktuale e veteranëve janë afro 60 mijë të tillë. Fillimisht ishte thënë se në ato lista nuk mund të jenë më shumë se 17 mijë veteranë, por më pas kanë dalë të jenë 40 mijë, ndërsa në një listë tjetër numri i tyre arrin në 60 mijë veteranë./Insajderi.com