Veseli e Haradinaj në garë – organizuar aktivitete për 140-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit

Veseli e Haradinaj në garë – organizuar aktivitete për 140-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe kryeministri i vendit Ramush Haradinaj kanë organizuar aktivitete për nder të 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Fillimisht Veseli e hapi seancën solemne të Kuvendit, në të cilin e mori fjalën. Aty foli gjerë e gjatë për rëndësinë historike të Lidhjes. Më pas ia dha fjalën edhe kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj.

Insajderi merr vesh nga burime të afërta me organizimin e Kuvendit, se aty bëhej fjalë për dy organizime të ndara.

Pas seancës solemne, filloi Akademia për shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit nën patronazhin e kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj.

Por aty nuk shkoi gjithçka mirë. Ndodhën incidente për të cilat u desh të përkujdesej vetë kryeministri.

Në foltore doli të fliste e paftuar mbesa e Mehmet Derallës. Ndonëse kishte filluar pjesa e Akademisë që ishte nën përkujdesjen e kryeministrit, megjithatë, kreu i Kuvendit u kujdes që t’ia ndezte mikrofonin asaj, pasi zëri i saj nuk po dëgjohej.

Kjo bëri që kryeministri Haradinaj pas pak të ndërhynte dhe me forcë ta largonte atë prej aty. Por iu desh edhe ndihma e sigurimit.

Gjithashtu, Insajderi ka kërkuar sqarim edhe nga Qeveria për organizimin në të njëjtën kohë me Kuvendin, por deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje.

Por, largimi i zonjës Deralla nga foltorja nuk ishte incidenti i vetëm. Nga tribuna u largua edhe një i moshuar. Atë e morën për krahësh pjesëtarët e sigurimit.

Në ceremoninë e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit morën pjesë dhe mbajtën fjalim rasti edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kreu i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi./Insajderi.com