Veseli: Disa persona në PDK janë të tejngopur dhe mendojnë se PDK-ja u ka borxh

Veseli: Disa persona në PDK janë të tejngopur dhe mendojnë se PDK-ja u ka borxh

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka folur për rezultatet e zgjedhjeve lokale dhe balotazhit të 19 nëntorit.

Ai ka lavdëruar kandidatët për kryetar të komunave nga partia e tij e që ishin fytyra të reja duke thënë se PDK është e vendosur të bëjë reforma brenda vetes.

“Jam krenar me Shaqir Totaj dhe Valdete Idrizi aq sa jam krenar me Sabiha Shalën, unë i falënderoj për garë dinjtioze, për vlerë të shtuar, i inkurajoj të vazhdojnë, jam krenar që kam marrë këto vendime. Ka shumë gjëra që duhet të ndryshohen, që duhet PDK-ja t’i bëjë brenda vetes si ndryshime, duke pasur anëtarësi të jashtëzakonshme por kandidatët kanë qenë të jashtëzakonshëm”, ka thënë Veseli në Klan Kosova

Por i pari i PDK-së për disa persona brenda partisë së tij, ka pasur disa cilësime, jo fort të zakonshme.

“PDK ka një anëtarësi dhe kuadro të jashtëzakonshme por nuk e nënvlerësoj faktin, se disa brenda PDK-së janë ngopur, janë tejngopur, disa mendojnë se janë të pazëvendësueshëm e disa mendojnë se PDK-ja u ka borxh atyre. Kjo do të ndryshojë gradualisht, disa i keni parë se si na kanë ikur, për shkak se nuk u kam dhënë hapësirë”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për zgjedhjet e brendshme të PDK-së.

“Nuk do të ketë fushata, nuk do të ketë askush ta lëndojë askënd, për shkak një mendimi ndryshe, do ta thellojë mendimin ndryshe por njerëzit që mendojnë se ju ka borxh Kosova dhe PDK-ja të jenë jashtë PDK-së. Flas për koncept, vizion, moral. Kam dëshirë që të ketë reaksione, debat dhe reagime, koncepti im mund të mos fitojë, kjo është demokracia”, ka thënë Veseli.