Veseli: Brenda tre muajve do të njihet stazhi i punës së viteve të ’90-ta

Veseli: Brenda tre muajve do të njihet stazhi i punës së viteve të ’90-ta

Koalicioni PDK-AAK-Nisma, ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Lidhjen e Pensionistëve të Kosovës.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se këto memorandume kanë për qëllim rritjen e mirëqenies së qytetarëve të vendit. Ai tha se brenda tre muajsh, Qeveria e ardhshme që pretendon të udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, do të miratojë vendimin për njohjen e stazhit të punëtorëve të viteve të 90-ta.

“Ky memorandum është i veçantë për arsye se të gjithë kemi prindër që janë pensionistë. Zotimet janë që kanë të bëjnë me përmirësimin e situatës sociale, dhe do të përfshihen të gjitha kategoritë. Ajo çfarë ne e marrim si zotim është pranimi i stazhit të viteve të 90-ta dhe kjo do të bëhet brenda tre muajve në Kuvend sepse nuk është e nënshkruar në këtë marrëveshje”, ka thënë Veseli.

Kandidati për kryeministër nga PAN, Ramush Haradinaj ka thënë se pensionistët për të arritur të pensioni kanë bërë shumë mund.

“Po i marrim të gjitha obligimet që na takojnë. Këto obligime kanë të bëjnë me transport falas, barna falas”, ka thënë ai.

Shaban Kajtazi kryetar i Lidhjes së Pensionistëve ka thënë se mosha jonë ka besim në këtë lidership që po na kthen dinjitetin.

“Dinjiteti i pensionistëve do të kthehet me këtë memorandum e që ka të bëjë me subvenicone në shëndetësi, sigurimin e shtëpive të pleqve, transport urban e të tjera dhe jemi të kënaqur me këtë koalicion”, ka thënë ai./EO