Veseli: Më 11 Shtator bota pa me sy tmerrin në ShBA

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se bota pa me sy dhe ndjeu me zemër, një nga momentet më dramatike të historisë bashkëkohore - sulmin e pashembullt terrorist mbi kullat binjake në New York.

Veseli: Më 11 Shtator bota pa me sy tmerrin në ShBA

“Atë ditë, anë e kënd botës, u tronditën zemrat njerëzve nga të gjitha kombet e racat, kulturat dhe religjionet. U tronditën zemrat e njerëzve që besojnë në lirinë njerëzore, në të drejtat e njeriut, në demokracinë dhe paqen mes popujve. Janë këto vlera supreme, të cilat, sot, tek Shtetet Bashkuara të Amerikës gjejnë garantuesin kryesor”, tha Veseli me rastin e akademisë përkujtimore për nder të viktimave të sulmit të 11 Shtatorit në ShBA.

Kreu i legjislativit theksoi se qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës ndihen krenarë që janë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër terrorizmit.

“Ne ndihemi krenarë se liria jonë, shteti ynë i pavarur dhe sovran, janë të lidhura në mënyrë të pandashme me emrin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne ndihemi krenarë duke qenë populli më pro amerikan në botë. Kjo nuk është as oportunizëm, as servilizëm. Përkundrazi, është mirënjohje morale për përkrahjen vendimtare që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë popullit tonë në momentet më të rënda të tij”, tha Veseli.

Kryetari Veseli po ashtu tha se qytetarët dhe institucionet kosovare asnjëherë nuk kanë pasur dhe nuk do të kenë dilema rreth partneritetit me SHBA-të.

“Zërat individual që vënë dyshime mbi këtë partneritet, e që lansojnë ide të mjera për aleanca të reja, janë zëra kundër Kosovës dhe të ardhmes së saj. Ne nuk mund t’i definojmë interesat tona nacionale strategjike duke mbyllur veshët apo injoruar qëndrimin amerikan mbi zhvillimet në vendin tonë”, tha Veseli.

Kryeparlamentari Veseli tha në ceremoni se miqësia mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara do të jetë e përhershme, ndërsa bashkëpunimi bilateral do të vazhdojë të thellohet./Insajderi.com