Vendlindja e Obama-s, “makthi” që ende e përndjek

Vendlindja e Obama-s, “makthi” që ende e përndjek

Barack Obama nuk është më president, por zërat sipas të cilëve ai ka lindur jashtë Amerikës, e përndjekin ende, kjo edhe falë vëllait të tij nga babai.

Malik Obama, postoi në “Twitter” një kopje të asaj që ai pretendon se është një certifikatë e vlefshme lindjeje, që provon se vëllai i tij kishte lindur në Mombasa të Kenias. Certifikata e lindjes, mban logon e një spitali në Mombasa.

Në 2009, një burrë i quajtur Lucas Smith, e kishte ofruar dokumentin për shitje në eBay. Faqja e internetit e kish larguar më pas atë për shkak të politikës që ndalon përdoruesit të shesin dokumente qeveritare.

Seksi i foshnjës është mashkull dhe data e lindjes është 4 gusht 1961, që përputhet me ditëlindjen e vërtetë të ish-presidentit. Dokumenti mban në listë edhe emrat e prindërve të Obama-s, Hysein Obama dhe Stanley Ann Obama ose Dunham.

Malik Obama, është banor i Kenias dhe qytetar i natyralizuar amerikan. Vlerësohet se ai ka nga tre deri në 12 gra, kjo falë legalizimit të poligamisë në Kenia. Korrikun e shkuar, Malik Obama i tha mediave amerikane se ai mbështeste Trump-in. Në një intervistë nga shtëpia e tij në Kenia, ai tha se do të votonte për republikanin Trump sepse ai fliste me zemër.

Sidoqoftë, Malik Obama është cilësuar si oportunist që i ka kërkuar gazetarëve mijëra dollarë në këmbim të intervistave. Çështja e lindjes së Obama-s dhe ajo e besimit të tij, janë diskutuar shpesh. Zërat e pabazuara për vendin e origjinës së Obama-s, kryesisht kishin si qëllim të vinin në pikëpyetje legjitimitetin e presidencës së tij.

Kushtetuta amerikane nuk lejon qytetarë që kanë lindur jashtë vendit të kandidojnë për president. Gjatë viteve të Obama-s në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Trump, shpesh ka promovuar teorinë konspirative sipas të cilës Obama ka gënjyer se ka lindur në Hauai. Në përpjekje për të shuar zërat, Shtëpia e Bardhë kishte publikuar një kopje të certifikatës së tij të lindjes në 2011.