Vendimi i Rugovës që i ka pëlqyer presidentit Thaçi

Vendimi i Rugovës që i ka pëlqyer presidentit Thaçi

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se ish-presidenti Ibrahim Rugova ka qenë një njëri i guximshëm, që kishte marrë përgjegjësinë e udhëheqjes në vitet e 1990-ta, dhe se kishte krijuar kohezion politik e kombëtar që si pasojë ka rezultuar “me një moment kthese” nga Serbia.

Por, megjithë respektin e treguar për Rugovën, Thaçi thotë se nuk e kopjon atë.

Ai ka thënë se nuk e ka model asnjërin nga presidentët e kaluar të Kosovës “sepse unë jam vetvetja, kam agjendën e vizionin tim”.

Duke komentuar punën që kanë bërë ish-presidentët e Kosovës, ai ka thënë se Rugova ka bërë senzibilizimin për kauzën e Kosovës në ditët më të vështira; Fatmir Sejdiu ka pasur rol aktiv në Ekipin e Unitetit në bisedimet për statusin final të Kosovës në Vjenë; kurse për Behgjet Pacollin thotë se për periudhën e shkurtër që ka pasur, ai ka treguar përgjegjësi të lartë kushtetuese. Ai ka thënë se e çmon edhe punën e Atifete Jahjagës.

“Secili i ka meritat e veta,” ka thënë ai në emisionin Komiteti, prodhim i Gazetës Express, që transmetohet në RTV Dukagjini.

I pyetur lidhur me bashkëpunimin e tij me Ibrahim Rugovën në vitet e 90-ta, ai ka thënë se ka pasur mundësi që të ketë komunikim më të mirë.

“E çmoj shumë Rugovën për një vendim që se ka dëgju disa me dalë në zgjedhjet e Serbisë në vitet 1993, 1994”, ka thënë ai.

“Hapat e mëtutjeshëm janë gjithnjë të diskutueshëm”, ka shtuar ai./Insajderi.com