Vendimi për shaminë “do të forcojë trendet anti-myslimane”

Vendimi për shaminë “do të forcojë trendet anti-myslimane”

Turqia kritikoi një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, sipas të cilit, kompanitë në Bashkimin Evropian mund t’i ndalojnë punëtorët nga veshja e simboleve fetare ose politike, përfshirë shaminë islamike.

“Vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë mbi shaminë e kokës vetëm se do të forcojë trendet anti-myslimane dhe ksenofobike”, tha Ibrahim Kalin, zëdhënës i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Quo vadis Europa? (Ku po shkon Evropa?)”, shkroi ai në Twitter.

Sipas vendimit të gjykatës së lartë të Bashkimit Evropian, të marrë të martën, ndalesa e simboleve fetare dhe politike duhet të bazohet në rregullat e brendshme të kompanisë, që kërkojnë nga të gjithë punëtorët “të vishen në mënyre neutrale”.

Ky është vendimi i parë i gjykatës për shaminë islamike në vendet e punës, në shtetet e Bashkimit Evropian.

Vendimi është nxitur nga rasti i një recepsionsteje, e cila është shkarkuar pasi ka vënë shami në punë, në kompaninë e sigurisë G4S, në Belgjikë.

Drejtësia belge e ka referuar rastin për sqarim në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, njofton rel.

Muajin e kaluar, ndërkaq, ushtria turke ka ndryshuar rregullat e saj, duke u lejuar oficereve gra të veshin shaminë islamike gjatë kohës sa janë në detyrë.