Vendimi i ish-shefit të UNMIK-ut që e bëri Lumezin prokuror për herë të parë

Vendimi i ish-shefit të UNMIK-ut që e bëri Lumezin prokuror për herë të parë

Kryeprokurori i shtetit Aleksander Lumezi ka vazhduar të jetë në fokus të akuzave për manipulim në provimin e tij të jurisprudencës, dhe të martën për të ka folur edhe Riza Smaka.

Smaka, ka qenë kryesues i Komisionit Këshillëdhënës Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës, i themeluar në shtator të vitit 199 nga ish-kryeadministratori i Kosovës, Bernard Kouchner. Smaka i ka thënë KTV-së se kur komisioni ka bërë intervistimin e grupit të parë të prokurorëve, Lumezi është refuzuar pikërisht për shkak se nuk e ka pasur të dhënë provimin e jurisprudencës.

“Nuk e ka pas provimin e jurikadusë (jurisprudencës v.j). Nuk e ka pas të dhënë, në atë etapë nuk e ka pas, as nuk e ka thënë që ka. Ka qenë shumë korrekt. Ka konkurruar dhe ka pas thënë, se e mbajë mend mirë, se do ta kisha dhënë këtë provim, por qe 10 vite nuk është organizuar mbajtja e provimit. Bile unë i pata propozuar Dr.Kushenerit ta pranojë”, ka thënë Smaka në KTV.

Por vet Aleksandër Lumezi, i kontaktuar nga Insajderi ka zbuluar se kjo nuk është e vërtetë. Ai ka paraqitur një dokument që mbanë datën e 22 dhjetorit të vitit 2000, ku bash komisioni i kryesuar nga Riza Smaka e ka përzgjedhur atë si zëvendës prokuror në Prokurorinë Komunale në Prishtinë.

Në këtë dokument, i nënshkruar nga ish-kryeadministratori i  Kosovës, Bernard Kouchner, që i drejtohet Lumezit, vërtetohet përzgjedhja e Lumezit në pozitën e zëvendës prokurorit në Prokuroinë Komunale të Prishtinës.

“Me 8 gusht 2000 unë ju kam zgjedhur ju si zëvendës prokuror në Prokurorinë Komunale të Prishtinës, bazuar në autoritetin që ma ka dhënë Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara me 10 gusht 1999”, thuhet në këtë vendim.

Më pas, Kouchner tregon sesi këtë vendim e ka marrë duke u bazuar në këshillat e Komisionit që e ka kryesuar Riza Smaka.

“Vendimi vjen duke pasur në konsideratë edhe rekomandimin e Komisionit Këshillëdhënës Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës që është krijuar nën Rregulloren No.1999/7 të UNMIK-ut”, thuhet në vendimin e Bernard Kouchner.

Sipas këtij vendimi, Lumezi ka nisur punën si zëvendës prokuror në Prokurorinë Komunale të Prishtinës me 1 janar të vitit 2001 deri me 31 mars të këtij viti.

Lumezi nuk ka dashur të komentojë deklaratat e Smakës, kryesues i komisionit që e ka përzgjedhur atë në këtë pozitë, duke thënë se dokumenti tregon qartë gjithë atë çfarë ka ndodhur para 17 vitesh. /Insajderi.com