Vendimi i Gjykatës Themelore për deputetët e Vetëvendosjes që hodhën gaz

Vendimi i Gjykatës Themelore për deputetët e Vetëvendosjes që hodhën gaz

Gjykata Themelore e Prishtinës, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, Xhelal Sveçla, Sali Zyba, Fitore Pacolli dhe Valon Ramadani, raporton Insajderi.

Sipas këtij vendimi është vlerësuar se nuk është e nevojshme caktimi i paraburgimit për shkak se konsiderohet se nuk ekziston rreziku i arratisjes së të pandehurve.

“Gjykata ka vlerësuar se në këtë fazë të procedurës nuk ka qenë e nevojshme caktimi i masës së paraburgimit duke qenë se përveç kushtit të përgjithshëm se ekziston dyshimi i bazuar se tani të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat është kërkuar caktimi i masës se paraburgimit, nuk përmbushen asnjëra nga kushtet konkrete qoftë veç e veç qoftë të gjitha së bashku për caktimin  e ndonjërës nga masat për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë”.

“Kjo për faktin se nuk ekziston ndonjë rrethanë e veçantë në bazë të cilës do mund të konkludohet se ekziston rreziku i arratisjes së pandehurve me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale pasi që të njëjtit i kanë premtuar Gjykatës se do të përgjigjen në të gjitha ftesat që do t’ju dërgohen nga kjo Gjykatë dhe po ashtu nuk ekziston as rreziku i përsëritjes se këtyre veprimeve nga ana e të pandehurve të përfshirë në këtë çështje penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Deputetët e VV-së ishin arrestuar për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës, në seancën e jashtëzakonshme për ratifikimin e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi.