“Vëllezërit e PDK-së” përballen me akuzat për korrupsion

01.03.2017 20:18
“Vëllezërit e PDK-së” përballen me akuzat për korrupsion

Ish-ministri i Arsimit, Ramë Buja, nuk e kishte lejuat deputetin e PDK-së, Adem Grabovcin në vitin 2012, që të përzihet në ministrinë të cilën ai e drejtonte, kur duhej vendosur për emërimin e një personi në një pozitë të lartë.

Ai i kishte thënë Grabovcit atë kohë përmes telefonit se do të ishte në gjendje të lëshonte pozitën e tij, vetëm që të mos bëhej “paçavër” e askujt.

Por, në punën e tij si ministër ka ndërhyrë Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila e akuzon atë për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Kësisoj, rreth dy vite pasi ai më nuk gjendet në pushtet, Buja mund të përfundojë në burg nëse shpallet i fajshëm për akuzat për të cilat ngarkohet.

Ai dyshohet së në vitin 2012 i kishte dhënë tender një kompanie për të mbikëqyrur objektet shkollore, ani pse kjo kompani kishte falsifikuar hiç më pak se 31 dokumente në mënyrë që të përmbushte kriteret për t’u shpallur i fajshëm.

Së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj ministrie, Xhavit Dakajn, ata akuzohen se më 11 maj 2012 kanë lidhur marrëveshje me OE “ ALB – Architect” për vazhdimin e projekteve  dhe mbikëqyrjen  profesionale te projekteve te iniciuara sipas kontratave bazë të datës 15.05.2009 dhe anekskontratës së nënshkruar më  16.05.2011 për tenderin  “Mbikëqyrja profesionale e objekteve  kapitale te ndërtuara  nga MASHT”, pa një procedurë të re tenderuese.

Por, përveç ish-ministrit, edhe vëllai i tij, Shukri Buja, është duke u ndjekur nga drejtësia për korrupsion.

Ish-kryetari i Lipjanit, aktualisht deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvend, së bashku me disa zyrtarë të tjerë të komunës dhe një biznesmen, akuzohen se “kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtarë, ku kanë tejkaluar autorizimet e tyre, gjithnjë me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete apo për të tjerët dhe me këtë duke i shkaktuar dëm tani të dëmtuarave: komunës në fjalë dhe ndërmarrjeve shoqërore nën menaxhimin e AKP-së”.

Insajderi kishte raportuar lidhur me një vendim të Bujës që të ndryshojë planin urbanistik në mënyrë që t’i lejonte një biznesmeni të ndërtojë banesa në vend të fabrikës.

Vëllezërit Buja janë persona me ndikim në Komunën e Lipjanit. Ata kanë qenë pjestar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndërsa janë edhe anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës./Insajderi.com