Veliaj thotë se është e pamundur ndërtimi i metrosë në Tiranë

17.03.2017 12:04
Veliaj thotë se është e pamundur ndërtimi i metrosë në Tiranë

Kreu i bashkisë Erion Veliaj ka shpjeguar dhe arsyet pse është e pamundur të ndërtohet aktualisht metroja në Tiranë. Duke folur para studentëve të një universiteti për planin urbanistik të Tiranës, TR030, Veliaj tha se transporti urban është e ardhmja për Tiranën, njofton Top Channel.

“Unë besoj që kemi nevojë për plane realiste, dhe besoj që duhet të largohemi nga populizmi që premton gjëra që nuk i mbajmë dot. Jemi vend modest, në shqip i themi ‘shtrije këmbën sa ke jorganin’, po parimi është të kemi një plan realist. Kostoja e një km metro në Europë sot është midisi 250 milionë euro, nëse e ndërtojnë kinezët mes 170 mln euro për km. Pra, 3 herë buxheti i Tiranës. Pra, tre vite Tirana mos të bënte asgjë tjetër, për të bërë 1 km metro. Ndaj besoj se kemi sot një plan realist për kushtet ekonomike dhe avangardë përsa i përket ca kemi pasur deri tani në Tiranë”, tha Veliaj.

Duke folur për planin urbanistik, Veliaj duke iu referuar dhe kundërshtimeve për këndin e lojërave tek parku i Liqenit tha se do të ketë bekimin dhe një kontribut më aktiv qytetar.

“Në shumë prej ndryshimeve që do të pasojnë me planin do të kemi jo vetëm bekimin, po një kontribut më aktiv qytetar po dhe arkitektë, urbanistë inxhinierë të rinj që mund të pasurojnë me ide shumë prej koncepteve tona për planin urbansitik. Ndoshta duhet të kalojnë dhe 10 kryetar bashkie që ti shohin fundin projekteve të mëdha”, tha Veliaj.