“Veç pse ishte shtatzënë” – Kundërkandidati akuzon Lladrovcin se ia shkarkoi nga puna familjaren

“Veç pse ishte shtatzënë” – Kundërkandidati akuzon Lladrovcin se ia shkarkoi nga puna familjaren

Kandidati i AKR-së për kryetar të Komunës së Drenasit,  Petrit Sinani është përplasur keq me kryetarin aktual të Drenasit Ramiz Lladrovci, i cili është kandidat i PDK-së për kryetar të komunës.

Por përplasja e tyre nuk ka ndodhur për ndonjë projekt ose dështim, por për një mësimdhënëse të cilën Sinani e akuzon Lladrovcin se e ka shkarkuar atë vetëm pse është shtatzënë. Por kjo mësimdhënëse ka dalë të jetë një familjare e Sinanit.

“Është mirë me ditë z.Lladrovci, sa i përket arsimit, asnjëherë nëse unë bëhem kryetar i Komunës, nuk do ta përjashtoj prej punës një grua që është shtatzënë. Këtë le ta ketë parasysh mirë z.Lladrovci”, thotë kandidati i AKR-së në emisionin zgjedhor të RTV Dukagjinit me kandidatët për kryetar komune në Drenas.

E pikërisht në këtë pikë, fillon edhe debati i ashpër mes Lladrovcit dhe Sinanit. Lladrovci i kërkon ta bëjë publike se kush është mësimdhënësja që është përjashtuar për shkak të shtatzënisë.

“Kon e kom përjashtu? Unë nuk e përjashtoj askënd, ligji nëse e ka hjek e ka hjek, mos fol kot ashtu. Ma trego kënd e kam përjashtu. Ma thuaj pra”, ka thënë Lladrovci me nervozë.

E në këtë pikë, kuptohet se mësimdhënësja për të cilën e ka fjalën kundërkandidati i Lladrovcit, është një familjare e tij.

“N’shpi e kam z.Lladrovci”, thotë Sinani.

“Kon e ki në shpi?”, ia kthen Lladrovci.

“Atë gruan që e ke përjashtuar”, i thotë Sinani.

Më pas Lladrovci i kërkon kundërkandidatit që kjo çështje të gjej zgjidhje përmes ligjit por merr përgjigje nga Sinani që thirret në ligj.

“Ligji e thotë se nuk ke të drejtë edhe Inspektorati i Arsimit ta ka kthy që nuk ke të drejtë me përjashtu”, thotë Sinani.

Edhe pse ankesa e tij ishte komplet personale, ai i thotë Lladrovcit që nuk është në debat kundër tij personalisht.

“O zotëri Lladrovci unë nuk kam ardhë më u rrokë me ty në formë personale. Unë jam ardhë me të tregu që ti nuk je ka punon drejt, për mendim tim, unë mund ta kem të drejtë por qytetari e vendos me të 22-in”, thotë Sinani. /Insajderi.com

https://youtu.be/GjwKL8y0iQI?t=1h28m5s