Vdes një person në Pallatin e Drejtësisë

Vdes një person në Pallatin e Drejtësisë

Ka vdekur dje një person në Pallatin e Drejtësisë. Ai ishte rreth 50-vjeçar. Rastin e ka konfirmuar për Insajderin zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Lidhur me kërkesën tuaj që keni parashtruar konfirmojmë se dje në Departamentin e Përgjithshëm -Divizioni për çështje Civile ka ndërruar jetë një person me inicialet F.Sh., rreth moshës 50 vjeçare i cili ka qenë palë në procedurë në një çështje civile”, ka thënë zëdhënësja Gashi.

Ajo ka thënë se, sipas dëshmitarëve, ai për një moment nuk është ndjerë mirë dhe është alivanosur.

“Gjykata Themelore menjëherë ka njoftuar ndihmën e shpejtë e cila pavarësisht përpjekjeve nuk ka arritur ta rikthejë në jetë të ndjerin”, ka shtuar ajo.

Lidhur me rastin, Gashi ka thënë se është njoftuar edhe Policia e Kosovës./Insajderi.com