Vdes një person në aksident trafiku

06.03.2017 10:10
Vdes një person në aksident trafiku

Mbrëmë rreth orës 19:30, në fshatin Peran të Podujevës, ka ndodhur një aksident trafiku ku për pasojë një person ka vdekur ndërkaq një tjetër është lënduar.

Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy vetura të cilat ishin në lëvizje, vetura e tipit “Audi A3” dhe vetura e tipit  “Golf II”, që të dyja  me targa të Republikës së Kosovës.

Si pasojë e këtij aksidenti janë lënduar dy persona, njëri prej të cilëve pasi që është dërguar në QKUK, ka ndërruar jetë, bëhet fjalë për A. Z. 43 vjeçar, vdekja e të cilit është konfirmuar nga ana e ekipit mjekësor në QKUK. Ndërsa personi tjetër i lënduar është B. Z. 13 vjeçare, e cila pasi ka marrë  trajtimin e nevojshëm mjekësor, është liruar nga QKUK-ja.

Lidhur me këtë aksident një person është arrestuar dhe me urdhër të Prokurorit të shtetit, i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48orësh. Ndërkohë që trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Gjatë vitit 2016 në rajonin e Prishtinës kanë ndodhur  8.232 aksidente trafiku prej tyre 33 aksidente trafiku me pasoja fatale dhe 38 persona të vdekur; 2.258 aksidente trafiku me të lënduar dhe 4.384 persona të lënduar, si dhe 5.941 aksidente trafiku me dëme materiale, njofton policia.

Andaj duke parë si shqetësues këtë numër të madh të aksidenteve të trafikut dhe veçanërisht numrin e madh të viktimave nga aksidentet fatale  dhe të personave të lënduar, policia kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë me përpikëri të gjitha rregullat e kodit rrugorë, në mënyrë që bashkërisht të ndikojmë në uljen e numrit të ngjarjeve aksidentale, uljen e vdekshmërisë në komunikacionin rrugor, e rrjedhimisht ngritjen e shkallës së sigurisë në trafik./Insajderi.com