Vdekja e punëtorit të tyre nuk përbën lajm – KEDS heshtë për vdekjen në Celinë

Vdekja e punëtorit të tyre nuk përbën lajm – KEDS heshtë për vdekjen në Celinë

Një punëtor tjetër i KEDS ka vdekur të hënën e 24 korrikut. Rasti ka ndodhur në fshatin Celinë të Rahovecit.

Sipas komandantit të stacionit policor në Rahovec, Osman Ismajli,  punëtori i KEDS me inicialet V.S i lindur në vitin 1968 ka vdekur rreth orës 14:30.

Ai ka vdekur teksa ka qenë i ngjitur në një shtyllë elektrike kur edhe rryma e ka goditur duke e lënë të varur në shtyllë, pa asnjë shenj jete.

Por krejt kjo për vet KEDS nuk përbën ndonjë lajm. Ata as që kanë lëshuar ndonjë komunikatë për media.

Insajderi ka pyetur zëdhënësin e KEDS, Viktor Buzhala për informacione shtesë në lidhje me këtë rast.

“Nuk kemi lëshuar ndonjë komunikatë”, ka thënë Buzhala për Insajderin.

KEDS lëshon cdo ditë komunikata kur lajmëron për rajonet apo vendbanimet që do të mbesin pa rrymë për shkak të punimeve apo shkyqjeve por nuk e ka lëshuar asnjë komunikatë për vdekjen e punëtorit.

Buzhala nuk ka treguar as arysen përse KEDS nuk ka lëshuar komunikatë për media por ka thënë se kjo çështje tashmë i takon organeve të policisë.

Megjithatë KEDS e ka konfirmuar për Insajderin vdekjen e punëtorit.

“Krejt çka mund të themi tash për tash është se, po ka ndodhur rasti, fatkeqësisht një punëtor yni ka vdekur”, ka thënë Buzhala.

Kur Insajderi pyeti për detaje, nuk pati përgjigje.

“Rrethanat dhe cështjet tjera do të hetohen nga organet kompetente”, ka thënë Buzhala./Insajderi.com