Vazhdon të rritet borxhi publik i Kosovës, ka arritur në 996.4 milionë euro

Vazhdon të rritet borxhi publik i Kosovës, ka arritur në 996.4 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se të hyrat buxhetore në vitin 2017 arritën vlerën neto prej 1.68 miliard euro, që paraqet një rritje vjetore prej 5.3 për qind.

“Shpenzimet buxhetore arritën vlerën prej 1.74 miliard euro që paraqet një rritje vjetore prej 5.0 për qind. Rrjedhimisht, buxheti i Kosovës regjistroi deficit primar buxhetor prej 59.0 milionë euro krahasuar me deficitin prej 61.1 milionë euro në vitin 2016, përderisa si përqindje e BPV-së, deficiti primar ka shënuar rënie nga 1.0 për qind në 0.9 për qind”, thuhet në raportin vjetor të BQK-së.

Sa i përket llojit të tatimeve, sipas BQK-së vërehet se ka rritje më të lartë të të hyrave tatimore indirekte të cilat arritën vlerën prej 1.3 miliardë euro (7.2 për qind rritje), ndërsa të hyrat tatimore direkte shënuan rritje prej 2.5 për qind dhe arritën vlerën prej 238.0 milionë euro. Të hyrat jotatimore shënuan rritje prej 6.0 për qind dhe arritën vlerën prej 185.8 milionë euro.

Në vitin 2017, të gjitha kategoritë e shpenzimeve buxhetore u karakterizuan me rritje. Shpenzimet qeveritare për paga dhe mëditje shënuan rritje të lehtë prej 1.2 për qind dhe arritën vlerën prej 550.0 milionë euro. Subvencionet dhe transferet shënuan rritje për 6.7 për qind dhe arritën vlerën prej 506.4 milionë euro. Investimet kapitale, të cilat përfaqësojnë rreth 26.9 për qind të gjithsej shpenzimeve buxhetore, shënuan rritje prej 5.4 për qind dhe arritën vlerën 467.5 milionë euro. Shpenzimet qeveritare për mallra dhe shërbime (përfshihen edhe shpenzimet komunale) shënuan rritje për 11.4 për qind dhe arritën vlerën prej 226.0 milionë euro, raporton televizioni publik.

“Borxhi publik, në vitin 2017, ka arritur në 996.4 milionë euro që është për 16.8 për qind më i lartë krahasuar me vitin 2016. Si përqindje e BPV-së, borxhi publik ka arritur në 16.6 për qind nga 14.6 për qind sa ishte në vitin 2016. Kjo rritje e borxhit publik i atribuohet rritjes së borxhit të brendshëm prej 19.9 për qind (i cili ka arritur në 574.3 milionë euro), si dhe borxhit të jashtëm publik i cili ka shënuar rritje prej 12.9 për qind duke arritur në 422.2 milionë euro. Pjesëmarrja e borxhit të jashtëm publik në gjithsej borxhin publik është zvogëluar në 42.4 për qind, nga 43.8 për qind sa ishte në vitin 2016”,, thuhet në raportin vjetor të BQK-së.