Kompania ‘Veviba’ nga Belgjika nuk ka qenë kompania e vetme që nga ky vend ka eksportuar mish të prishur në Kosovë. Televizioni Publik në Belgjik ka njoftuar sot se edhe kompania “Vanlommel” nga Herentals, e specializuar në mish viçi, është kapur që ka dërguar në Kosovë mish të prishur.
Madje kjo kompani për RTBF e ka konsideruar si “një gabim njerëzor”.
“Ka qenë gabim nga ana jonë. Ne natyrisht se e kemi rimbursuar konsumatorin për kostot e shkaktuara. Autoritetet kosovare e kanë vënë re atë në kufi. Ne e kemi marrë përgjegjësinë tonë. Kjo s’ka të bëjë me mashtrim. Etiketat ishin të sakta, por është e vërtetë se mishit i kishte skaduar afati për 3 javë, për mishin e ngrirë, i cili normalisht ka jetëgjatësi deri në 2 vjet, por atij i kishte skaduar për 3 javë”, thotë drejtori komercial i “Vanlommel” Johan Heylen.
Gushtin e vitit të kaluar, një sasi mishin prej 20 tonësh me etiketat e firmës “Vanlommel” është sekuestruar në kufirin e Kosovës. Kjo pasi mishit të destinuar për konsumatorin tonë i kishte skaduar afati i përdorimit.
E adresë në Kosovë për pranimin e këtij mishi ka qenë kompania “Euro IDA”, për të cilën Insajderi ka raportuar gjatë javës së kaluar e përfshirë në skandalin “Veviba”.
“Sërish mish nga Belgjika, dhe sërish njoftuam FASFC-në (Agjencia Federale për siguri në ushqim) dhe shkatërruam tërë sasinë e mishit në mënyrë që të mos arrinte tek konsumatori kosovar”, ka thënë një zëdhënës i Agjencisë Kosovare për Siguri në Ushqim për RTBF-në.