Vazhdojnë protestat kundër platformës shqiptare në Maqedoni

Vazhdojnë protestat kundër platformës shqiptare në Maqedoni

Mijëra qytetarë të Shkupit edhe sonte marshuan rrugëve të Shkupit, për të kundërshtuar siç thonë ata “pranimin e platformës shqiptare nga lideri i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev”.

Protestuesit e organizuar nga Shoqata “Për Maqedoni të bashkuar”, thonë se bëhet fjalë për ruajtjen dhe mbrojtjen e unitetit të Maqedonisë, si dhe për mbrojtjen e gjuhës maqedonase, e cila është rrënja e mbijetesës dhe identitetit të popullit maqedonas.

Ata kërkojnë që partitë politike bashkërisht të angazhohen dhe të përgatisin një platformë të përbashkët për Maqedoni të bashkuar me të gjitha përkatësitë etnike që jetojnë në këtë vend dhe të refuzojnë platformat e përgatitura, sipas tyre, nga vendet e huaja. Njëkohësisht, protestuesit kërkojnë nga partitë politike, veçanërisht ata maqedonase, të mos votojnë në Kuvend Ligjin për dygjuhësinë në tërë territorin e Maqedonisë, gjë e cila sipas tyre, do të drejtojë Maqedoninë drejt ridefinimit të saj.

Protesta filloi nga godina e Qeverisë së Maqedonisë, duke vazhduar drejt selisë së VMRO-DPMNE-së dhe përfundoi para godinës së Kuvendit, ku u mbajtën fjalime kundër ndryshimit të Kushtetutës, emrit dhe rrënjëve të shtetit. Gjatë shpërndarjes së protestuesve, disa gazetarë u goditën nga persona të panjohur.

Këto protesta shihen si organizim i liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski, i cili nuk ka mundur të formojë qeverinë, pasi BDI ka refuzuar kërkesën e saj për koalicion qeveritar