Varroset veprimtari i çështjes kombëtare Latif Përvetica

Varroset veprimtari i çështjes kombëtare Latif Përvetica

Në praninë e qindra njerëzve është varrosur sot në Podujevë veprimtari i çështjes kombëtare, Latif Përvetica. Ai ka vdekur më 21 shkurt nga një sëmundje e rëndë në Leverkuzen të Gjermanisë.

Para se të varroset në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Podujevë  është mbajtur një mbledhje komemorative për nder të veprimtarisë së tij shumë vjeçare në Lëvizjen Popullore të Kosovës, njofton Radio Televizioni i Kosovës, raporton Insajderi.

Kryetari i Lëvizjes Popullore Emrush Xhemajli i cili kishte kaluar shumë kohë me të ndjerin tha se dëshira e përjetshme e Latifif Përveticës ishte që kombi shqiptar të bashkohej njëherë e përgjithmonë.

“Latifi ka qenë çdo moment ku ka pasur nevojë atdheu. Latifi ka qenë i gatshëm për detyrë. Ai ka qenë shembull si punohet për atdheun. Ai ka qenë i dashur me shokë dhe veprimtarë të tjerë. Ai ka qenë i kthjellur për veprimet që duhet ndërmarrë si dhe rrugën që duhet ndjekur. Ai ka shkuar me dëshirën që kombi ynë të jetë i pavarur dhe i vetëm, Shqipëri etnike”, tha Xhemajli.

Ndwrsa përfaqësues të familjes së Latif Përvetica thanë se dëshira e kahershme e Latif Përveticës ishte që Shqipëria të jetë e bashkuar.

Edhe Ambasadori i Kosovës në Australi, Sabri Kiqmari nëpërmjet një telegrami ngushëllimi dërguar familjes Përvetica tha se Kosova ka humbur një njeri të madh dhe se duhet ndjekur vizioni i tij.