Varfëria e informimit – 350 milionë fëmijë pa qasje në internet

Varfëria e informimit – 350 milionë fëmijë pa qasje në internet

Të jesh i varfër domethënë të mos kesh ushqim sa duhet, rrobe dhe gjëra të tjera të nevojshme në përditshmëri. Por, tani UNICEF-i, nënorganizata e OKB-së për të drejtat e njeriut, e ka zgjeruar nocionin e varfërisë. I varfër, sipas UNICEF-it, është edhe ai që nuk ka qasje në botën digjitale.

Të rinjtë pa qasje në internet janë humbësit e mëdhenj, theksohet në një studim të UNICEF-it të publikuar në fillim të javës në New York. Sipas raportit, interneti e ka ndryshuar në mënyrë masive rritjen e fëmijëve dhe të rinjve, shkruan gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung”.

Shumë fëmijë mund të shmangin mungesën e arsimimit dhe varfërinë përmes internetit. Njëkohësisht digjitalizimi po ashpërson pabarazinë. Të goditur janë sidomos fëmijët e familjeve të varfra. Nga universi digjital janë të përjashtuar 346 milionë të rinj në vendet në zhvillim apo vendet e varfra.

Bëhet fjalë për 29 për qind të të gjithë të rinjve në mbarë botën. Në Afrikë tre prej pesë të rinjve mes moshës 15 dhe 24-vjeçare janë offline. Në Evropë ky raport është 1 me 25. 56 për qind e të gjitha webfaqeve janë në gjuhën angleze, andaj shpesh përmbajtjen e tyre nuk e kuptojnë të rinjtë që nuk mësojnë anglisht.

Interesi për dije është i ngjashëm te shumica e fëmijëve, por shansi për të pasur qasje në internet nuk është i njëjtë. Për studimin e UNICEF-it shkencëtarët kanë vëzhguar edhe intensitetin e përdorimit të internetit nga të rinjtë në vendet e industrializuara. Shumë të rinj përdorin telefonin e mençur deri në 150 herë në ditë. Disa të rinj çdo muaj postojnë deri në 4 mijë mesazhe – domethënë në çdo 6 deri 7 minuta, nëse heqim kohën e gjumit.

Në vendet e digjitalizuara prindërit janë të shqetësuar mbi shëndetin e fëmijëve. Telefonat e mençur kanë krijuar një kulturë të veçantë në dhomën e fëmijëve dhe këtë kulturë prindërit e kanë të vështirë ta kontrollojnë