VAR nga sezoni i ardhshëm do të jetë pjesë e La Ligas

VAR nga sezoni i ardhshëm do të jetë pjesë e La Ligas

VAR do të jetë pjesë e kampionatit spanjoll nga sezoni 2018/19, ka konfirmuar shefi i gjyqtarëve në Spanjë.

Sistemi i video asistent gjyqtarit (VAR) do të jetë në fuqi në La Ligan spanjolle nga sezoni i ardhshëm, raporton gazeta spanjolle ‘AS’, përcjell Insajderi.

Kjo teknologji do të jetë pjesë e Primera Division që nga sezoni 2018/19, derisa do të futet edhe në ligën e dytë spanjolle në vitin pasues.

Gjyqtarët në La Liga janë informuar rreth këtij plani nga Rafael Sanchez Arminio, kryetari i komitetit të gjyqtarëve në Federatën e Futbollit në Spanjë (RFEF).

VAR pritet të përdoret që të rishikohen momentet gjatë ndeshjes, siç janë golat, pozitat jashtëloje, prekjet e topit me dorë dhe ndërhyrjet e palejueshme gjatë aksionit, në rast se topi e ka tejkaluar vijën apo jo, vendimet rreth penalltive dhe incidentet me kartona të kuq.

Ky sistem tashmë është në funksion në ligat e tjera evropiane, duke përfshirë Bundesligën gjermane dhe Serinë A italiane, derisa Premierliga angleze përdor vetëm teknologjinë e vijës së portës.

Para se të jetë pjesë e La Ligas, VAR do të testohet në këtë edicion të Copa Del Reyt, derisa pritet që për herë të parë të përdoret në ndeshjen të cilën Atletico Madridi do ta zhvillojë me Elchen në këtë turne. /Insajderi