Valmiri 14-vjeçar shpëtohet falë ndihmës nga katër gra gjermane

Valmiri 14-vjeçar shpëtohet falë ndihmës nga katër gra gjermane

Valmiri, një djalë 14-vjeçar nga Kosova, i lindur me defekt në legen mund të bëjë jetë normale falë një operacioni të kryer në Gjermani, i cili u ndihmua nga disa fondacione falë përpjekjeve të katër grave gjermane.

Përkundër shumë operacioneve në Kosovë Valmiri nuk mund të shërohej, ato ishin të pasuksesshme. Ai mund të përfundonte në karrocë.

Prindërit së bashku me gjashtë fëmijët e tyre kishin migruar në Gjermani në vitin 2015 ku kishin kërkuar azil, shkruan mediumi gjerman Giessener-allgemeine.

Gjatë qëndrimit si azilkërkues në Gjermani, Valmiri (mbiemri i të cilit nuk është i cekur nga mediumi gjerman “Giessener-allgemeine”) kishte siguruar mbështetje për kryerjen e operacionit i cili do bëhej në nëntor të vitit 2016, por pas një viti autoritetet gjermane kishin marrë vendim që të kthente të gjithë familjen e tij në Kosovë, dhe të mos ia zgjaste atyre lejen e qëndrimit.

Vetëm Valmirit iu ishte aprovuar kërkesa për qëndrim të mëtejmë në Gjermani.

Gjatë këtij viti Valmiri kishte fituar zemrat e komshinjve gjermanë, prej të cilëve katër gra nga qyteti i vogël i Ettingshausen kishin bërë çmos për të ndihmuar 14-vjeçarin të marrë një tretman të duhur mjekësor.

Më 31 janar ai u operua me sukses në Dortmund dhe tani po qëndron në Ettinghausen, shkruan Insajderi.

“Jam duke ia dalë mirë mbanë,” thotë Valmiri.

Dy ditë pas operacionit ai nuk ndjen më dhimbje që më parë kishin qenë konstante, pa marrë parasysh gjithë ato operacione, e ku i fundit kishte qenë në Maqedoni.

Katër gratë të cilat nuk duan të tregojnë identitetin, pasi thonë që “kjo punë nuk ka të bëjë me ne por me Valmirin”, në mënyrë që të mënjanojnë 14-vjeçarin nga jeta në karrocë, kanë bërë shumë punë dhe kanë gjetur shumë ndihmës.

Problemi më i madh ishte kostoja e operacionit prej 10 mijë eurove. Por falë disa kontribuuesve privatë, e mbi të gjitha katër fondacioneve, u arrit grumbullimi i të hollave.

Këto fondacione janë fondacioni “Uwe Seeler”, fondacioni “Christliche Stiftung Solms”, fondacioni “Zuversicht für Kinder” dhe fondacioni “Ulrich Weyel”.

Tani me Valmirin po qëndron babai i tij, të cilit i kanë dhënë leje të qëndrojë për tu kujdesur për të. Këta dy do qëndrojnë pas disa kontrollimeve tek specialistët, ku i fundit do të jetë në prill. /Insajderi.com