Valltarët me veshje kombëtare pengohen në lagjen serbe në Rahovec

10.07.2018 12:32
Valltarët me veshje kombëtare pengohen në lagjen serbe në Rahovec

Solisti Labinot Rexha dhe ekipi i tij janë penguar gjatë xhirimeve të një videoklipi në një prej lagjeve të banuara me serbë në Rahovec. Njoftimin e ka bërë vetë këngëtari Rexha. Rasti ka ndodhur pardje.

“Të nderuar shokë e miq, dua të njoftoj opinion e gjerë që dje gjatë xhirimit të videoklipit tim të ri në lagjen e serbëve jemi penguar si staf ne përfundimin e klipit. Jemi kërcënuar se ajo është pronë e Republikës së Serbisë dhe çdoherë do të mbetet ashtu. Qëllimi ynë ka qenë ta përcjellim mesazhin me konceptin e klipit ne përshtatje të objekteve më tradicionale për përcjelljen e nuses”, ka shkruar Rexha në llogarinë e tij në Facebook.

Sipas tij, në mesin e valltarëve shumica kanë qenë shumë të rinj, të cilët janë frikësuar.
“Klipi në fjalë nuk ka pasur motive politike, po kënga ka motive tradicionale dhe përshkrimin e traditave tona me rastin e dhënies dhe përcjelljes së nuses”, ka shkruar Rexha.

Pas brohoritjeve “Serbia, Serbia…” dhe brohoritjeve të tjera me motive nacionaliste, ka ardhur policia ecila ka larguar nga aty ekipin e artistëve dhe nuk ka lejuar përfundimin e klipit.

Rexha njofton opinionin se xhirimet rreth klipit janë ndërprerë derisa të gjendet një lokacion më i përshtatshëm për përfundimin e tij.

“Pas 20 viteve nga përfundimi i luftës, a thua ende duhet të dënohemi duke mos i shfrytëzuar objektet me rëndësi monumentale në Kosovën tonë. A thua vërtetë jemi vend i lirë?”, ka shkruar Labinot Rexha.