Ushtrohen kontrolle policore në disa lokale nate në Ferizaj

Ushtrohen kontrolle policore në disa lokale nate në Ferizaj

Policia e Kosovës (PK), përmes Drejtorisë për migrim dhe të huaj, mes datave  9 dhe 10 nëntor në rajonin e Ferizajt ka implementuar planin operativ “Migrimi i parregullt” me fokus të veçantë të huajt që janë duke qëndruar dhe duke punuar ilegalisht në Republikën e Kosovës.

“Operacioni policor ka filluar përafërsisht në të gjitha lokacionet në kohën e njëjtë dhe ka përfunduar në të gjitha lokacionet me ushtrim kontrolle kryesisht me fokus në biznese hoteliere të njohura si kafene të natës Muzikë Live”, njofton policia.

Drejtoria për migrim dhe të huaj në këtë planë operativ  ka qenë e asistuar edhe nga Drejtoria për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore, Njësia speciale operative dhe inspektorët e punës.

“Ky plan operativ është realizuar në pesë lokacione dhe  ka rezultuar me një numër të konsideruar të personave të legjitimuar dhe të kontrolluar”, njofton policia.

Sipas policisë, persona të legjitimuar si mysafirë dhe të punësuar në këto pesë lokacione përafërsisht kanë qenë 310 persona, ndërsa shtetas të huaj që janë takuar duke punuar pa vërtetimin për lajmërimin e punës dhe pa leje pune adekuate për të huaj kanë qenë 23 persona.

“Shtetasit e huaj që janë konstatuar se janë duke qëndruar dhe duke punuar legalisht janë liruar, ndërsa shtetasve të huaj me qëndrim të pa rregullt u janë sekuestruar përkohësisht dokumentet dhe ndaj tyre do të merren masa bazuar në Ligjin për të Huaj”, thuhet në komunikatën e policisë.

Lidhur me personat për të cilët është dyshuar se mund të jenë viktima të trafikimit janë njoftuar zyrtarët policorë nga drejtoria kompetente, të cilët më pastaj kanë vazhduar me procedurat e intervistimit.

Po ashtu  lidhur me personat dhe gjësendet e dyshuara, të identifikuara gjatë operacionit janë njoftuar stacionet më të afërta policore, ndërsa Inspektoret e punës kanë plotësuar procesverbalet kundrejt punëdhënësve dhe ndaj atyre punëdhënësve për të cilët ka dëshmi se kanë punësuar shtetas të huaj pa dokumente të rregullta për punë, Inspektorati i punës pritet tu lëshoj gjoba bazuar në dispozitat ndëshkuese nga Ligji për të Huaj.

Policia njofton se gjatë këtij operacioni në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar , një revole, dy thika dhe një boks metali .