Ushtria e Kosovës në partneritet me NATO-n

Ushtria e Kosovës në partneritet me NATO-n

Udhëheqës të institucioneve më të larta shtetërore në Kosovë pohojnë se Kosova shumë shpejt do të themelojë Ushtrinë në partneritet me NATO-n.

Në një konferencë për media “NATO dhe Ballkani Perëndimor – Dinamikat rajonale në epokën e sfidave të sigurisë globale”, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se në ditët në vijim do të bëhet transformimi i Forcës se Sigurisë se Kosovës në Ushtrinë e ardhshme të Kosovës.

“Ne synojmë të bëhemi anëtar më të drejta të plota të Aleancës Veri –Atlantike. Ne krenohemi me Forcat e Sigurisë se Kosovës, një organizatë që është duke bërë një punë të jashtëzakonshme. Falënderojmë po ashtu KFOR-in për punën profesionale që është duke bërë në këtë partneritet me FSK-në”.

“Natyrisht, presim që shumë shpejt, të bëjmë edhe transformimin përfundimtar të Forcës se Sigurisë se Kosovës në Ushtri të ardhshme të Kosovës. Veprimet tona do të jenë të përbashkëta, nuk do të ketë befasi, por ajo që është e sigurt është se Kosova do të ketë ushtrinë e vet në partneritet me NATO-n në ditët në vijim”, ka thënë Veseli.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se sfidat dhe kërcënimet e sigurisë i tejkalojnë kufijtë e shteteve. Disa nga sfidat që Kosova i veçon, ka thënë kryeministri Haradinaj, janë terrorizimi global, ndërhyrja e Rusisë në Ballkan, kryesisht përmes luftës informative dhe krimit të organizuar ndërkombëtar.

E për tu përballur me këto sfida, duhen iniciativa të përbashkëta duke respektuar sovranitetin e gjithësecilit shtet në mënyrë reciproke, ka thënë Haradinaj.

“Kosova si shtet nuk është neutral në aspektin ushtarak dhe të politikës së jashtme. Ne duam dhe e meritojmë të anëtarësohemi sa më shpejt në NATO, pra ne jemi NATO. Ne duam që NATO të qëndrojë në Kosovë”.

“Ne kemi të drejtë dhe po bëjmë të gjitha përpjekjet për të themeluar Forcat e Armatosura të Kosovës, ne synojmë që brenda kësaj dekade deri në vitin 2020 ta përmbyllim anëtarësimin në NATO”, ka thënë kryeministri Haradinaj.