Ushtari i UÇK-së i burgos 13 vjet nga Serbia: Do të heq dorë nga nënshtetësia

Ushtari i UÇK-së i burgos 13 vjet nga Serbia: Do të heq dorë nga nënshtetësia

Ushtari i UÇK-së, Anton Lekaj i dënuar me burg nga Beogradi me 13 vite për krime lufte, ka rrëfyer sot për jetën e tij 13-vjeçare në burgjet e Serbisë.

Ai ka thënë se gjatë kësaj kohe ka qëndruar në dy burgjet atje, ndërsa thotë se 11 vjet e dy muaj ishte i izoluar në burgun e Pozharecit.

Lekaj është shprehur i dëshpëruar me neglizhencën që shteti i Kosovës ka bërë për të. Ai ka thënë se Kosova asnjëherë nuk është interesuar për fatin e tij.

“Ndoshta kanë folur në ndonjë restorant, por emri im nuk është përmendur asnjëherë. Jam gëzuar për fillimin e dialogut Kosovë-Serbi, kam menduar që zonja Tahiri do ta përmend rastin tim. Por jo, sepse ajo duhet t’i ndreqë flokët. Çdo media në Kosovë ka pasur për mua që jam në burg, ndërsa ajo thotë nuk e kam ditë”, shprehet Lekaj.

Ushtari i UÇK-së thotë se është aq i dëshpëruar me shtetin e Kosovës saqë do të heqë dorë nga shtetësia e Kosovës.

“Unë e njoh shtetin e Kosovës, por jam i dëshpëruar dhe duhet me heq dorë nga shteti i Kosovës, sepse nuk kam asgjë me të. Asgjë hiq nuk më ka ndihmuar, jam shumë i dëshpëruar”, ka thënë Lekaj.

Ai më tej ka treguar edhe për problemet që i ka pasur për t’u futur në Kosovë, për shkak se nuk ka asnjë dokument identifikimi të Kosovës, ndërsa shprehet i irrituar për shkak se askush nga institucionet nuk ka dalë ta presë atë.

“Nuk ka dalë as ministrja i Drejtësisë, me më thanë mirëdita që ke ardhur. Policia në kufi më shikonin mrroltë, e shiheshin që jam i dënuar për krime lufte. Me të vërtetë jam shumë i dëshpëruar”, ka thënë më tej ai.

Ai më tutje për Tv Dukagjinin ka paralajmëruar padi ndaj kryeministrit të vendit për shkak, siç ka thënë, të mos interesimit që ka treguar për të.

“Unë kam me ngritë padi ndaj kryeministrit, nuk më intereson kush është, por për çka nuk është angazhuar asnjëherë për mua”, ka thënë Lekaj.