Urime Dita e “Evropës plakë”!

Kosova sot feston Ditën e Evropës. Ne sot po i mbajmë “leksione” vetë Evropës se çfarë janë vlerat evropiane. Po harrojmë se për dekada me radhë ndër shqiptarë është kultivuar urrejtje për “Evropën kurvë” dhe “plakë” se na copëtoi trojet etnike shqiptare, siç bënte Gjergj Fishta me vargjet e tij

Urime Dita e “Evropës plakë”!

Kush ka arsye më të madhe për të festuar Ditën e Evropës sesa ne pasardhësit iliro-pellazgë?

Si s’ka pak respekt për ne “Evropa plakë”, apo siç e quante Gjergj Fishta “Kurva e Motit”?

A nuk jemi populli më i vjetër në Evropë? Pos të gjitha këtyre fakteve, a nuk i kemi plotësuar të gjitha standardet e kërkuara?

Sot, vetëm ne kosovarët kemi të drejtë ta festojmë 9 Majin. E kemi festë zyrtare në kalendarin tonë. Pushojmë të gjithë, i madh e i vogël. Me të drejtë, besoj?

Anash ironinë, ne nuk i plotësojmë thuajse asnjë kriter për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian.

Qeverisja e mirë dhe transparente

Një prej kritereve për liberalizim të vizave “Schengen”, është qeverisja e mirë dhe transparente. A kemi ne qeverisje të tillë? Jo.

Tetë vjet më parë, organizata joqeveritare FOL kishte kërkuar qasje në kontratën për ndërtimin e autostradës Merdar – Morinë.

Ministria e Transportit që udhëhiqet nga Fatmir Limaj e kishte refuzuar publikimin e saj. FOL bëri padi në Gjykatë. E fitoi kontestin fiks tetë vjet pas padisë.

Vendimi i Gjykatës vazhdon të mos gjejë zbatim akoma, ndonëse në krye të kësaj ministrie është Pal Lekaj, një anëtar i lartë i AAK-së. Ky vendim tashmë është në zyrën e tij. Por, kontrata për rrugën vazhdon të mbetet e fshehur për publikun.

Në vend që ta bënte publike kontratën, dikasteri i drejtuar prej Lekajt harxhon kohë dhe para duke u ankuar në Gjykatën e Apelit kundër publikimit të kontratës.

Një institucion shteti i përfaqësuar prej dr. Palit hap një betejë ligjore me publikun e përfaqësuar nga një organizatë joqeveritare në mënyrë që të mos lejohet publikimi i kontratës.

Shih ti se si e shpenzon energjinë ministria e Pal Lekajt.

Pse ndodh kjo?

Pa i gjetur behane autostradës dhe cilësisë së punimeve, në një shtet ligjor kontrata do ta çonte dikë në burg. Nëse për asgjë tjetër, për mospublikimin e saj. Lekaj është në buzë të kryerjes së veprës penale: moszbatim i vendimit të Gjykatës.

Vepra do të konsumohet nëse FOL fiton betejën për transparencë edhe në Gjykatën e Apelit. Në momentin e moszbatimit të vendimin të formës së prerë, përgjegjësit për publikimin e kontratës do të kryejnë vepër penale. Bile edhe do të akuzohen për këtë.

Pra, qeverisja transparente dhe llogaridhënëse para publikut si kriter për liberalizim të vizave, as që mund të merret me mend se ekziston.

“Drejtësia e Maçorrit”

“Maçorri” ndodhej në Prevallë për punë, ku po diskutohej funksionimi i sistemit të drejtësisë. Pak para mesnatës, “Maçorri” i hip veturës zyrtare dhe niset drejt Pejës. Atje e priste një grua e cila kishte bashkëshortin në burg.

“Maçorri” i kishte premtuar se do ta nxirrte nga burgu në këmbim.

“Maçorri” nuk është emri i këtij gjyqtari tashmë të shkarkuar nga detyra. Këtë epitet ia kishte vënë gruaja e cila po mundohej ta nxirrte nga burgu bashkëshortin e saj.

E quante “Maçorr”, sepse i dukej i keq e i gërditshëm. Megjithatë, e duronte dhe sakrifikonte për hir të bashkëshortit.

Ai përdorte veturën zyrtare, naftën e shtetit, telefonin e shtetit me qëllim të nxjerrjes së dikujt nga burgu. 766 minuta biseda telefonike kishte zhvilluar “Maçorri” me këtë grua. Të gjitha kishin një qëllim: lirimin nga burgu të një krimineli.

“Maçorri” tashmë është i akuzuar së bashku me këtë grua. Ai po gjykohet në një proces të mbyllur për publikun. Askush nuk e di se çfarë po ndodh brenda. Krejt çka dihet se janë segmente të fuqishme të politikës dhe nëntokës të cilat janë vënë në lëvizje për ta nxjerrë të pafajshëm “Maçorrin”.

Nuk është larg mendsh që kjo të ndodhë. Shumë veta para tij janë shpallur të pafajshëm, apo janë dënuar me burgim me kusht, për shpërdorim detyre.

Veprimet e “Maçorrit” si person zyrtar janë ilustrim i tejdukshëm i mënyrës së funksionimit të sistemit të drejtësisë – që është shtylla kryesore e funksionimit të shtetit. Ky segment po shënon fare pak përparim. Të fortët e politikës vendosin se kush do të shpallet fajtor e kush i pafajshëm.

Luftimi i krimit dhe korrupsionit si kriter për viza është kriter thuajse i papërmbushur.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj

Edhe sikur Kosova t’i kishte plotësuar të gjitha kriteret për lëvizje pa viza, atë e qeverisin tre njerëz me imazh të rrënuar dhe të izoluar nga bota. Ata thuajse nuk i pret askush në takime dypalëshe. Raste të pakta për takime kanë në konferenca e ngjarje shumëpalëshe dhe në rastet kur diskutohet për bisedimet me Serbinë.

Kjo ndodh për shkak se tre liderët kryesorë të vendit: presidenti, kryeparlamentari dhe kryeministri kanë imazh të keq. Dy prej tyre janë nën hetime nga Prokuroria Speciale në Hagë. Ka gjasa që të dy të përfundojnë të akuzuar.

Në këso situate askush nuk dëshiron t’i takojë e t’i pres në kancelari apo rezidenca shtetërore. Edhe sikur mos të kishim kurrfarë pengesash të tjera, imazhi i këtyre tre liderëve është izolues për vendin.

Megjithatë, janë të shpeshta deklaratat akuzuese dhe kërcënuese të këtyre liderëve kundër Evropës. Përpiqen të na mbushin mendjen se ne jemi “për mashallah”, por Evropa nuk po na do.

Në një farë mase edhe mund të kenë të drejtë. Nuk mund të fshihet fakti se brenda BE-së ka qasje negative në raport me Kosovën. Ama, po t’i kryenim punët tona, BE-ja nuk do të kishte justifikim për të na mbajtur të izoluar.

Kosova, sot feston e pushon për nderë të Evropës që na mbanë të izoluar. 9 Majin e kemi në kalendar të festave zyrtare. Të mbushet mendja se Kosova ka qenë iniciatore dhe themeluese e Bashkimit Evropian e jo Gjermania dhe Franca, shtete këto që nuk e kanë festë zyrtare dhe nuk pushojnë siç pushon administrata e Kosovës.

Ne sot po i mbajmë “leksione” vetë Evropës se çfarë janë vlerat evropiane. Harrojmë se për dekada me radhë ndër shqiptarë është kultivuar urrejtje për “Evropën kurvë” dhe “plakë” se na copëtoi trojet etnike shqiptare, siç bënte Gjergj Fishta nëpërmjet vargjeve:

Uh! Evropë, ti kurva e motit!

Që i re mohit, besës së Zotit!

Po, á ky asht sheji i qytetnisë?

Me da token e Shqypnisë,

Për me mbajt klyshtë e Rusisë?