UPZ: Inspektorati i Punës gjobiti me tendencë rektorin Ramë Vataj

UPZ: Inspektorati i Punës gjobiti me tendencë rektorin Ramë Vataj

Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” thotë se vendimi i Inspektoratit të Punës për gjobitjen e rektorit Ramë Vataj dhe universitetin, është bërë me tendencë që të denigrohet figura e tij, por edhe të prishet reputacioni i këtij institucioni.

“Vendimi i Inspektoratit të Punës ka qenë tendencioz, i pa bazë ngase gjendja faktike nuk është vërtetuar në mënyrë të drejtë. Universiteti në këtë rast ka ngritur kontest administrativ në gjykatën kompetente”, thuhet në reagimin e UPZ-së.

Insajderi ka shkruar ditë më parë se si Inspektorati i Punës e kishte dënuar me gjobë prej 2 mijë euro rektorin e UPZ-së, Ramë Vataj si person fizik, dhe Universitetin “Ukshin Hoti”, si subjekt juridik me 5300 euro gjobë. IP kishte konstatuar se gjatë rekrutimit të stafit akademik ishte shkelë Ligji i Punës.

UPZ beson se gjykata do të vendosë në favor të Universitetit dhe të rektorit Vataj, për të cilin thotë se është gjobitur pa të drejtë.

“Me rastin e inspektimit dhe bërjes së ankesën në shkallë të dytë të IP-së, nuk janë marrë fare për bazë faktet nga ana e UPZ-së, që e bënë këtë vendim tejet tendencioz. Qëllimi i Inspektoratit të Punës ka qenë që të denigrojë figurën e Rektorit Vataj dhe imazhin e UPZ-së të influencuar nga qarqe të caktuara që nuk ja duan të mirën UPZ-së. Si duket po iu pengon rangimi në listën e universiteteve botërore, ku UPZ është ngritur për rreth 9000 vende, ngritje të cilën nuk e ka patur asnjë universitet në Kosovë as në regjion”, thuhet më tej aty.

Inspektorati i Punës në Raportin Zyrtar kishte thënë se UPZ dhe rektori Ramë Vataj kishin bërë punësime të paligjshme, duke e shkelur Ligjin e Punës.

Por UPZ-ja thotë se rreth pretendimeve të Inspektoratit të Punës, u janë përgjigjur në ankesën e tyre drejtuar  këtij institucioni.

“Sa i përket punësimeve të stafit akademik të angazhuar për mësimdhënie për një semestër, propozimet vijnë nga njësitë akademike, në këtë rast Këshillat e Fakultete në bazë të nevojave të cilat i merr në shqyrtim Senati dhe vendos si organ kolegjial, komform kompetencave të veta statutare. Më pastaj Rektori i nënshkruan Vendimet e Senatit në cilësinë e kryetarit të Senatit. Punësimet bëhen për një semestër dhe nuk vendoset marrëdhënie e rregullt e punës. Ndërsa kur inspektoret e punës thonë se “janë kërkuar 12 mësimdhënës dhe 3 asistente, ndërsa janë pranuar vetëm dy mësimdhënës, punëdhënësi nuk ka arsyetuar mosplotësimin e 13 vendeve te tjera”, përgjigjen e kanë marrë në ankesën tonë”, thuhet në reagim.

Për mosplotësimin e vendeve të punës të kërkuara në konkurs, UPZ thotë se kjo nuk ka ndodhur me për shkak se kandidatët nuk i kanë plotësuar kushtet.

“Me këtë rast japim edhe njëherë sqarim për opinionin: nuk janë pranuar mësimdhënës sa ka qenë e kërkuar në konkurs për arsye se nuk i kanë plotësuar kushtet ashtu siç parashihet më Statut dhe Ligjin e Arsimit të Lartë. Në rast se do të pranohej numri i caktuar sa ka qenë në konkurs, atëherë do të bëhej punësimi i kandidatëve në kundërshtim me ligjin, pra Rektori dhe organet tjera në UPZ kanë vendosur të respektojnë ligjin!”, thuhet në komunikatën për media.

“Inspektorati i Punës nuk ka marrë parasysh gjendjen faktike dhe ka aplikuar në mënyrë të gabuar ligjin, kur ka vlerësuar gabimisht që Rektori i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” si person fizik bënë zgjedhjen e stafit akademik, pasi që sipas Statutit të Universitetit të Prizrenit, një zgjedhje të tillë e bëjnë komisionet që propozohen nga njësia akademike si dhe votimin dhe zgjedhjen përfundimtare e bën Senati, kurse Rektori është vetëm nënshkrues i kontratës së punës, kompetencë kjo të cilën ja jep Statuti i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti””, thuhet më tej aty.

“Inspektorati i Punës, nuk e ka marrë parasysh dhe nuk e ka bërë dallimin e konkurseve të shpallura nga Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” për angazhim si dhe ato për marrëdhënie të rregullt të punës, pasi që në rastin e angazhimit të stafit nuk lëshohet vendim individual për secilën pozitë, pasi që kjo marrëdhënie është vetëm marrëdhënie me angazhim, kurse në rastin e krijimit të marrëdhënies së rregullt lëshohet vendim individual siç edhe ka vepruar Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” si dhe Rektori i këtij Universiteti si person fizik Prof. Dr. Ramë Vataj”, vazhdon reagimi.

Sa i përket një rasti të pushimit të lehonisë të cilin Inspektorati e cekë, UPZ thotë se vendimi është marrë komform Ligjit për shërbyesit civil.

“Pushimi i lehonisë mbi 6 muaj, behet me kërkesë të vetë kandidates, ndërsa punëtorja në fjalë ka kërkuar me herët të kthehet në punë. Edhe pretendimet për rrezikimin e shëndetit të punonjësve dhe pretendimet e tjera nuk qëndrojnë ngase të gjitha masat e nevojshme janë ndërmarrë komform legjislacionit në fuqi”, vlerëson UPZ./Insajderi.com