Uniteti: Hapësira te kisha ortodokse në UP do të shfrytëzohet për lexim

18.09.2016 12:39

Një grup i studentëve ka lajmëruar se të hënë do të dalin në hapësirën e kampusit universitar, pranë kishës, për të lexuar dhe diskutuar.

Uniteti: Hapësira te kisha ortodokse në UP do të shfrytëzohet për lexim

Ky grup i studentëve i quajtur “Uniteti”, përmes një ftese ka ftuar të gjithë studentët dhe profesorët e Universitetit të Prishtinës, që të hënën me fillim nga ora 12:00 të vijnë në hapësirën e kampusit universitar pranë kishës ortodokse, që atë hapësirë ta shfrytëzojnë për të lexuar dhe diskutuar.

“Këtë hapësirë të kampusit tonë, kemi vendosur që të hënën ta shfrytëzojmë për të lexuar dhe diskutuar, duke dhënë kështu një mesazh simbolik”, thuhet në ftesë.

“Një hapësirë brenda kampusit të universitetit tonë po rrezikohet nga politika jashtë universitare. Funksionalizimi i një objekti fetar, me gjithë vijimësinë e kundërshtisë nga studentët që nga fillimi i ndërtimit të saj, mbetet i papranueshëm për ne. Ne thellësisht besojmë se çdo cep i hapësirës universitare duhet të përdoret për të vetmet qëllime: nevojat e studentit, dijes e shkencës”, thuhet në ftesën e grupit të studentëve “United”./Insajderi.com