United po mendon për zëvendësuesin e Carrick

United po mendon për zëvendësuesin e Carrick

Manchester United është gati të investojë për të marrë shërbimet e mesfushorit të Tottenham, Eric Dier. Dier, që kushton 50 milionë euro, është identifikuar nga “djajtë” si pasardhësi i Michael Carrick, i cili ka komanduar mesfushën e United që nga viti 2006, kur u ble pikërisht nga Tottenham.

Jose Mourinho admiron disa nga futbollistët e Tottenham, por mbi të gjithë ka zgjedhur Dier, pavarësisht se blerja e tij është shumë e vështirë, duke qenë se londinezët i konsiderojnë “djajtë” si një rival të drejtpërdrejtë dhe nuk mund t’i forcojnë duke i dhënë mesfushorin e kombëtares angleze.

Sipas “Daily Mail”, javën e ardhshme do të ketë një takim mes drejtuesve të United dhe atyre të Tottenham, ku ndërmjetësi do të jetë Daniel Levy.

Krahas Eric Dier, United kërkon disa futbollistë të tjerë për merkaton e verës, ku emri i përmendur është ai i Antonio Griezmann, megjithatë një mesfushor që të marrë vendin e Carrik, është i domosdoshëm për ekipin e Mourinho. 35-vjeçari do të largohet nga “djajtë” në qershor, pasi nuk i kanë propozuar rinovimin e kontratës.

Nëse kalon nga Tottenham te United për 50 milionë euro, Dier do të bëhej futbollisti i gjashtë në kampionatin anglez që e bën një rrugë të tillë pas Chris McGrath (1976), Alan Brazil (1984), Teddy Sheringham (1997), Michael Carrick (2006) dhe Dimitar Berbatov (2008).