Umberto Eco dhe Kristo Frashëri ynë

Insajderi

Insajderi Rudina Xhunga

23.02.2016 08:29
Umberto Eco dhe Kristo Frashëri ynë

Disa ditë më parë, Umberto Eco u nda nga jeta. Kur mësova, natën vonë për vdekjen, brofa në këmbë. Pastaj, u ula, të shkruaj disa radhë dhe nisa të mendoj për mungesën që lënë, në botën tonë, njerëz si ai.

Disa javë më parë, Kristo Frashëri, u nda nga jeta. Bërtita, kur e dëgjova lajmin. Dhe mora rrugën për të shtëpia e tij. Aty, ku shkoja pothuaj çdo muaj, kur kisha pyetje për historinë, kur i kërkoja intervista, kur më dhuronte libra, kur shkoja kot, pa shkak, thjesht për kënaqësinë dhe fatin ta dëgjoja, kur tregonte historinë e bukur të vendit tim.

Kur shkova te ajo derë ku shkruante Kristo Frashëri, me germa të dala kohe dhe boje, trokita dhe plasa në vaj. Doja të hyja edhe njëherë në atë dhomë gjithë libra dhe fotografi, të ulesha te ajo karrige që lëvizte, me jastëkë të vjetër, të vija bërrylat mbi tavolinën me mushama të grisur, mbushur plot dosje historie dhe ilaçe, që profesori nuk i ndante.

Doja të hyja edhe njëherë në atë dhomë me erë gjelle dhe zhurmë aparati oksigjeni, të shikoja profesorin e kthyer me kurriz, që thoshte dy herë, kush je, kush je?

Qenke shumë mirë profesor, do i thosha. Pse, doktoreshe je ti, që e di, si jam, – do të ma kthente.

Qava te dera e tij, se doja të hyja edhe njëherë në atë portë të vjetër, të ulesha mes librave, në divan dhe ta shikoja, kur i fliste djalit që e ndihmonte; nxirre atë dosje, aty lart, shiko te f. 67, jo jo është tjetër, jo atë. I dinte përmendësh të gjitha, sepse prej kohësh, nuk shikonte, nuk dëgjonte, nuk merrte dot frymë, përveçse me tuba oksigjeni, por shkruante, punonte, çdo çast të jetës, sikur do të ikte të nesërmen. Edhe një dosje, edhe një letër, edhe një dokument, edhe një libër.

Sa do të doja, të hyja në atë derë dhe ta pyesja, si atë ditë, kur u nxeh me mua: Profesor, si ia bën për të lexuar materialet?

Si ia bëj për t’i gjetur thuaj, nuk më japin, nuk më japin, duhet të paguaj çdo fotokopje. E di sa më shkon t’i fotokopjoj të gjitha? Ku t’i gjej lekët? Nuk më lënë të marr materiale në Institut. Kush nuk të lë, -i thashë. Drejtori, Beqir Meta, kush, tjetër. Pse Beqiri, është akoma drejtor, e pyeta, e habitur, që kishin ndryshuar pushtetet, por jo pushteti i Beqirit, që kur ishte Berisha, thoshte u çliruam në 28, sa vinte Rama, e ndërronte në 29. Ku jeton, ti moj vajzë, – u nxeh Kristo, kur i thashë, jo s’ka mundësi, të jetë ende drejtor i Institutit të Historisë, i njëjti Beqir.

Në fakt, unë jetoj këtu, në botën që njerëz si profesor Kristo, u përpoqën ta bëjnë më të mirë, më të vetëdijshme, më të mençur, pa kërkuar as para, as merita, as dekorata. E bëjnë thjesht, se kështu e dinë që jetohet. Duke punuar me përkushtim.

Kristo Frashëri nuk do të kishte dashur të përcillej nga politika e lartë, në banesën e fundit, ai do të mjaftohej t’i paguanin, sa qe gjallë, asistentin që ishte syri, dora, veshi i tij, t’i jepnin falas dokumentet e arkivës, t’i botonin dhe ta paguanin për librat e historisë që shkroi derisa dha shpirt, në atë shtëpi modeste deri në dhimbje.

Kristo Frashëri iku. Beqir Meta është ende drejtor i një Instituti, që ka ne varësi një tjetër njeri nga ata pak, që ka ky vend, Pëllumb Xhufin. Një nga historianët më të mirë, nga burrat më dinjitozë të historisë dhe politikës. Që iku nga Meta i madh dhe tani, kur del në emision, duhet të marrë leje te Meta i vogël.

Të gjitha këto mendime, erdhën dhe m’u përplasën, kur lexova shumë gazeta, ta qanin ikjen e Ekos. Të qajmë Shqipërinë, mendova vetmevete, pa Econ, ka kush ta qajë.