Ujësjellësi në Ferizaj ua “vodhi” rreth 200 qytetarëve nga 45 euro

Ujësjellësi në Ferizaj ua “vodhi” rreth 200 qytetarëve nga 45 euro

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” në Ferizaj, dëmtoi financiarisht rreth 200 konsumatorë gjatë vitit 2016. Kjo e gjetur e Auditorit Gjeneral është publikuar gjatë kësaj jave, në raportin financiar vjetor për Autoritetin Rregullativ të Ujit (ARrH).

Pas raportimit të lajmit: Ujësjellësi i Prishtinës dëmtoi financiarisht afër 1000 qytetarë, Gazeta Online Insajderi sjell edhe një evidentim tjetër të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), ku e kanë pësuar konsumatorët e ARrH-së.

KRU “Bifurkacioni” dëmtoi 197 konsumatorë të saj gjatë vitit 2016, duke aplikuar ndaj tyre taksën prej 50 eurove për kyçje në rrjet të ujit, edhe pse kyçja në ujësjellës sipas një vendimi të marrë nga ARrH-ja në fillim të vitit të kaluar, ishte zbritur në 5 euro.

Në këtë rast, Ujësjellësi në Ferizaj ua “vodhi” nga 45 euro 197 konsumatorëve, sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).

“KRU Prishtina kishte aplikuar taksën administrative për kyçje në vlerë 50€ tek 865 konsumatorë, KRU Bifurkacioni te 197 konsumatorë. ARrU kishte kërkuar nga KRU-të që të bëjnë ri-imbursimin e këtyre konsumatorëve por përmbushja e kësaj kërkese ende nuk ishte konfirmuar”, thuhet në raportin e Auditorit Gjeneral.

Siç njofton Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), drejtori i Përgjithshëm i ARrH-së i kishte paralajmëruar kompanitë rajonale të ujësjellësve që t’ia kthejnë paratë konsumatorëve.

“Drejtori i Përgjithshëm kishe dërguar paralajmërimet paraprake ndaj KRU-ve por ende nuk ishin arritur rezultatet e pritura”, thuhet në raportin e ZKA-së. /Insajderi.com