Uglanin: Keqardhje që regjimi nacionalist serbomadh në Beograd pengoi vizitën e Pacollit

Uglanin: Keqardhje që regjimi nacionalist serbomadh në Beograd pengoi vizitën e Pacollit

Këshilli Kombëtar Boshnjak (BNV) ka anuluar seancën solemne dhe debatin në Novi Pazar, ku është pritur të marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.

Ai ishte ftuar nga kryesuesi i BNV-së, Sulejman Uglanin, por Qeveria serbe refuzoi vizitën e tij.

Ishte radiotelevizioni kombëtar serb që njoftoi për refuzimin e vizitës së Pacollit, duke thënë se, bazuar në arsyetimin e dhënë nga Qeveria e Serbisë, “UNMIK-u nuk njeh Ministri të Punëve të Jashtme” në Kosovë.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, paralajmëroi liderët e Këshillit që t’i respektojnë ligjet e shtetit të tyre, në veçanti Ligjin për Këshillat Kombëtarë të Pakicave Etnike, që ua ndalon anëtarëve të këshillit që të përfshihen në politikë.

Bërnabiq u tha anëtarëve të BNV-së që të mos abuzojnë me këshillin e tyre, duke shtuar se “iniciativa të tilla janë në kundërshtim me qëllimin dhe aktivitetin” e atij organi.

Ajo kërkoi nga udhëheqësja e BNV-së që të jenë seriozë, të përgjegjshëm ndaj qytetarëve që përfaqësojnë dhe të mos “mbledhin pikë të lira politika” në llogari të stabilitetit. Kryeministrja po ashtu kërkoi nga ata që të mos e keqpërdorin tolerancën dhe mirëkuptimin e Qeverisë së Serbisë.

Ndërkaq, presidenti i BNV-së, Sulejman Uglanin, ka falënderuar ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, për gatishmërinë e treguar për të vizituar Sanxhakun dhe ka shprehur keqardhjen e tij që “regjimi aktual nacionalist i Beogradit” e ka penguar këtë vizitë.

“Me keqardhje të madhe kemi pranuar informatën se regjimi aktual nacionalist nga Beogradi ka penguar ardhjen tuaj dhe ua ka pamundësuar qytetarëve të Sanxhakut të dëgjojnë edhe anën tjetër në lidhje me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë”, ka thënë Uglanin në një letër dërguar Pacollit, e cila është postuar në ueb-faqen e BNV-së, transmeton Koha.net.

Ai e ka falënderuar Pacollin për gatishmërinë e tij të treguar për të vizituar Sanxhakun “edhe përkundër të gjitha pengesave të vëna nga ana e regjimit nacionalist serbomadh”.

Uglanin e ka porositur Pacollin që të mos shqetësohet nga “kërcënimet që u ka dërguar popullit boshnjak kryeministrja serbe Ana Bërnabiq” me këtë rast.

“Këto kërcënime janë shprehje e mos-tolerancës ndaj popullit boshnjak të Sanxhakut dhe injorim i rregullave ligjore”, theksoi ai.

Kreu i BNV-së, Uglanin, ka thënë se shpreson që në procesin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike, në skenën politike të Serbisë të paraqitet një “opsion politik normal, tolerant dhe demokratik” që do të jetë në gjendje të zgjidh “statusin e popullit boshnjak dhe statusit të Sanxhakut që është kushti kryesor për mbetjen e boshnjakëve në këto zona”.

Gjatë ditës, edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes një komunikate për media, shprehu keqardhje dhe indinjatën e saj për vendimin e autoriteteve të Beogradit për të mos lejuar vizitën e Ministrit Pacolli, në Novi Pazar.

“Republika e Kosovës ka vepruar gjithmonë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit mbi vizitat e zyrtarëve të lartë dhe ka respektuar procedurat e kërkuara. Ky rast tregon përsëri se Beogradi nuk është i angazhuar të respektojë Marrëveshjet e Brukselit dhe shkakton tensione të panevojshme për të parandaluar vizitat e zyrtarëve të lartë të Kosovës në territorin e Serbisë. Ne, sot jetojmë në shekullin, ku lëvizja e lirë e njerëzve është e drejtë fundamentale e njeriut dhe çdo shtet e Qeveri duhej ta respektoj atë. Kosova ka respektuar këto të drejta me përkushtim të madh dhe do t’i respektoj gjithmonë derisa mos të abuzohet me to, si në shumë raste që ka ndodhur në të kaluarën me mysafirët nga shteti fqinj verior”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Tutje, aty thuhet se do të ishte e arsyeshme, që Kosova të mbajë të drejtën për masa reciproke kundrejt autoriteteve të Beogradit sipas Marrëveshjes së Brukselit, por ne i dedikohemi të drejtave fondamentale për lëvizjen e lirë të njerëzve përderisa ato mos të jenë qëllimkeqe.

“Të rikujtojmë faktin se edhe vizitat e kosovarëve tek bashkëkombësit e tyre në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë duhet të vihen në reciprocitet me vizitat e serbëve tek bashkëkombësit e tyre në Kosovë”, përfundon reagimi.