Udhëheqësja e grave në VV e quan lopë deputeten e PDK-së

Udhëheqësja e grave në VV e quan lopë deputeten e PDK-së

Anëtari i kryesisë në Lëvizjen Vetëvendosje, Sami Kurteshi, i cili ka qenë Avokat i Popullit, e ka quajtur lopë ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, derisa ajo po fliste në njërin prej televizioneve vendore.

“Sonte në Rubikon është duke folur lopa ‘transparente’ quajtur ministre në Kosovë, e cila është pjesë e klikës vrastare të kësaj qeverie fashiste vrastare!”, kishte shkruar Kurteshi në llogarinë e tij në facebook.

Kjo gjuhë ka bërë që deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra të reagojë ndaj ish-Avokatit të Popullit, Sami Kurteshi, tash anëtar i Vetëvendosjes.

“E papranueshme jo vetëm për një grua por për çdo qenie njerëzore, dhe e patolerueshme kur kjo gjuhë përdoret nga një ish-Avokat i Popullit. Kurteshi si një avokues i të drejtave të njeriut, ka shkelë rëndë mbi këto vlera dhe parime të garantuara me Kushtetutën e Kosovës”, ka shkruar Deliu-Kodra në facebook.

Ajo ka kërkuar nga Vetëvendosje që të distancohet publikisht nga deklarimet e Kurteshit.

“Lëvizja Vetëvendosje duhet të distancohet publikisht nga deklarimet e zotit Kurteshi. Mosdistancimi nga një gjuhë e tillë denigruese është porosi e dëmshme për vet diskursin e opinionit publik. Prandaj institucionet dhe shoqëria duhet ta dënojnë ashpër dhe të marrin masa konkrete karshi këtij fenomeni”, ka shtuar ajo.

Por as deputetja Blerta Deliu-Kodra nuk i ka shpëtuar identifikimit me personazhin e lopës.

Nazlie Bala, anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila e ka udhëhequr Sekretariatin e Gruas në këtë lëvizje, në profilin e saj në facebook e pa postuar deklaratën e deputetes Deliu duke ia vënë një mbishkrim.

“Shumë e lopa kullotë badihava”, kishte shkruar Bala.

Ndaj deklaratës së Kurteshit ka reaguar edhe Gruaja e Partisë Demokratike të Kosovës.

Sipas GPD-së, ish-Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, përdori  gjuhë fyese ndaj një ministreje e gruaje dhe gjuha e tillë është papranueshme.

“Si ish-drejtues i institucionit  të Avokatit të Popullit e që kishte mision të  mbrojë të drejtat e qytetarëve, përfshirë të drejtën e gruas e të familjes, Sami Kurteshi, do të duhej të tregohej më i përmbajtur në deklaratat e tilla publike, sidomos ndaj një femre që përfaqëson një dikaster qeveritar”, thuhet në komunikatën për media të Gruas  së Partisë Demokratike të Kosovës.

Sipas këtij grupi të PDK-së, Lëvizja Vetëvendosjes duhet të distancohet nga një gjuhë e tillë, ndryshe heshtja e tyre është miratim ndaj këtij fjalori ofendues.

“Kjo vlen edhe për Shoqërinë Civile dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Po ashtu, edhe institucionet kompetente duhet të marrin qëndrim karshi deklaratave të tilla të zyrtarëve politikë”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Gruaja Demokratike thotë se mbështet fuqishëm punën e ministres Dhurata Hoxha dhe e inkurajon atë që të vazhdojë me reformat e filluara në dikasterin që ajo drejton./Insajderi.com