U rrah barbarisht nga dy persona, gazetari flet pas arrestimit të njërit prej tyre

21.08.2017 13:08
U rrah barbarisht nga dy persona, gazetari flet pas arrestimit të njërit prej tyre

Paraditen e sotme Policia e Tiranës njoftoi se është zbardhur ngjarja, ku u dhunua gazetari Elvi Fundo dhe është kapur një nga autorët.

Sipas policisë, autori është Ilir Gjuzi, 42 vjeç dhe ka goditur me mjete të forta në datën 8 mars të 2017 gazetarin.

Pas këtij lajmi ai ka dhënë një prononcim për ReportTv.

Gjatë një lidhje telefonike ai është shprehur se pas agresorit fshihen autorë të tjerë dhe se 42-vjeçari është thjesht një mercenar. Fundo gjithashtu ka thënë se dhuna ka ardhur për shkak të shkrimeve.

“Personin nuk e njoh, pasi sikur shihet nga pamjet jam goditur nga pas. Ka qenë puna e policisë dhe prokurorisë deri diku, e komisariatit 3, që ka bërë identifikimin dhe arrestimin.

Disa persona kanë dhënë informacion për autorët dhe sot jam njoftuar se njëri është shoqëruar. Nuk kam asnjë dijeni kush është, autori i kapur është personi i parë që më goditi, ndërsa i dyti është në kërkim.

Dua të falënderoj publikisht policinë e shtetit, që ka bërë një punë të shkëlqyer duke zbardhur ngjarjen.

Çështja është dërguar në gjykatë, çdo aludim ka rënë poshtë, le të presim të zbardhjen më shumë detaje dhe në fund të shohim cila është pasqyra e vërtetë e goditjes.

Unë i qëndroj idesë se dhuna ka ardhur për shkak të shkrimeve, por ne jemi gazetarë, ne kalojmë 200 informacione në ditë dhe investigime. Deri në zbardhjen e ngjarjes nuk mund të flas, do të pres hetimet.

Shpresoj të kapet edhe personi i dytë. Nga sot kemi një autor të ndaluar, që më shumë gjasa është një mercenar. Arrestimi i tij është një mesazh që policia jep, nëse godet median, shpresoj që ngjarja të tilla të mos përsëriten më” ka deklaruar ai./Report tv