Turqia përkrah inkuadrimin e Kosovës në Interpol

Turqia përkrah inkuadrimin e Kosovës në Interpol

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka pritur sot në takim zyrtar drejtorin e përgjithshëm të policisë së Turqisë Selami Altinok, po ashtu i shoqëruar nga ambasadorja e Republikës së Turqisë në Kosovë, Kivicilim Kiliç.

Maxhuni e ka falënderuar homologun turk për vizitën e tij dhe njëkohësisht e ka njoftuar atë mbi angazhimet, aktivitetet dhe objektivat e Policisë së Kosovës, të bazuara në planin zhvillimor strategjik të Policisë.

“Drejtori Maxhuni njoftoi të pranishmit se Policia e Kosovës ka kapacitete profesionale dhe është e përgatitur që të ofrojë siguri, të luftojë kundër krimit të organizuar si dhe të bashkëpunojë ngushtë me organizatat policore me qëllim të avancimit të mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e sigurisë dhe parandalimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, thuhet në një njoftim të policisë.

Ndërsa Selami Altinok e ka falënderuar Maxhunin për pritjen e ngrohtë dhe njëkohësisht ka vlerësuar lart punën e Policisë së Kosovës në përgjithësi, e në veçanti në bashkëpunimin e deritanishëm të treguar me autoritetet policore turke.

“Delegacioni i Turqisë konfirmoi mbështetjen dhe përkrahjen e pakursyer për Policinë e Kosovës me të gjitha kapacitetet e saj, duke përfshirë edhe trajnimet e nevojshme në fusha të ndryshme për personelin policor”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit palët janë zotuar për bashkëpunim të ndërsjellë edhe në të ardhmen,  me qëllim të avancimit të mëtejmë të PK-së, duke përfshirë edhe përkrahjen për inkuadrimin në Interpol dhe mekanizma tjerë ndërkombëtarë policorë.