Qeveria në Turqi deklaron se ka përfunduar me sukses operacionin ushtarak “Mburoja e Eufratit” në veri të Sirisë. Por kryeministri Binali" />

Turqia përfundon me sukses një operacion ushtarak në veri të Sirisë

Turqia përfundon me sukses një operacion ushtarak në veri të Sirisë

Qeveria në Turqi deklaron se ka përfunduar me sukses operacionin ushtarak “Mburoja e Eufratit” në veri të Sirisë.

Por kryeministri Binali Yildirim nuk e ka përjashtuar mundësinë e operacioneve të tjera, edhe pse nuk ka saktësuar nëse trupat turke do të largohen nga Siria.

Turqia ndërmori ofensivën në fjalë gushtin e kaluar për të zmbrapsur militantët e Shtetit Islamik nga kufiri i saj, si dhe për të frenuar avancimin e luftëtarëve kurdë.

“Operacioni “Mburoja e Eufratit” ka përfunduar me sukses. Çdo operacion që mund të vijë pas tij do të ketë një emër tjetër”, ka deklaruar Yildirim.

Deklarata e kryeministrit vjen në një kohë kur sekretari amerikan i Shtetit po viziton Turqinë. Ankaraja zyrtare është acaruar disa herë nga prirja e Uashingtonit për të mbështetur luftëtarët kurdë në Siri.

Më 24 gusht, trupat ushtarake turke, tanket dhe avionët luftarakë kaluan kufirin në kuadër të asaj që qeveria turke e cilësoi si nisma për të kthyer mbrapsht militantët e ISIS, të cilët ndodheshin 100 kilometra larg vijës kufitare.

Ushtria dhe rebelët sirianë të mbështetur nga qeveria turke kanë marrë nën kontroll qytete të shumta në veri të Sirisë, përfshirë Jarablusin. Veç Shtetit Islamik, Ankaraja i druhej edhe zgjerimit të terrenit veprues të njësive kurde.