Turqia në ofensivë për të mbyllur shkollat e Gulenit

31.08.2017 22:05
Turqia në ofensivë për të mbyllur shkollat e Gulenit

Turqia vazhdon të ushtrojë presion ndaj vendeve të ndryshme të botës për të mbyllur shkollat e lidhura me klerikun mysliman me influencë, i cili ishte dikur një aleat i ngushtë i Presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.

Influencues dhe polarizues, Fethullah Gulen është akuzuar si organizator i një hetimi për korrupsion ndaj qeverisë Erdogan në vitin 2013, që shërbeu edhe si pika e prishjes së miqësisë së tyre. Ai akuzohet gjithashtu si truri i përpjekjes së dështuar të puçit të korrikut 2016, që la pas 250 viktima dhe 2200 të plagosur.

Kleriku 76-vjeçar i mohon këto akuza. Ai përkrah një formë të moderuar të Islamit dhe, duke u mbështetur tek influenca politike, ndërtoi një perandori financiare në Turqi, pjesë e të cilës ishin banka, grupe mediatike, kompani ndërtimi dhe shkolla. Mendohet se ndjekësit e tij në Turqi janë 3 deri 6 milionë, ndër ta edhe zyrtarë të lartë të qeverisë dhe ushtrisë.

Rrjeti i shkollave filloi të zgjerohej në vende të tjera në vitin 1993 duke arritur një prani në mbi 100 vende, nëpërmjet shkollave të ndryshme, qendrave kulturore, si dhe programeve të gjuhës.

Gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2015, zoti Erdogan u kërkoi autoriteteve të mbyllnin rrjetin e kolegjeve turke, i cili mendohet se është rrjeti më i madh i arsimit privat në Shqipëri.

Në Shtetet e Bashkuara, ato përfaqësojnë grupimin më të madh të të ashtuquajturave “shkolla me status”, të cilat përfitojnë nga fondet e taksave amerikane. Numërohen rreth 140 shkolla të tilla në 28 shtete të ndryshme, të cilat përfitojnë rreth 2.1 miliardë dollarë nga taksapaguesit amerikanë.

Megjithëse në disa shkolla mësohet Islami, në të tjera thuhet se nuk ka përmbajtje fetare. Përgjithësisht të fokusuara tek matematika dhe shkencat, shkollat kanë marrë lëvdata nga prindërit, shpesh sepse cilësia e arsimimit është më e mirë se ajo që ofrohet në vende të varfëra.

Në Pakistan p.sh., ato kanë ofruar një alternativë përballë medreseve që akuzohen se kultivojnë ekstremizmin. Shkollat janë popullore edhe në radhët e shtresës së mesme në Afrikë.

Por, ato janë akuzuar se kanë një axhendë të fshehur: mbrujtjen e një ndjesie të thellë besnikërie në radhët e studentëve si pjesë e një strategjie afatgjatë për të infiltruar qeveritë, duke filluar nga Turqia, për të përhapur më tej një axhendë sociale konservatore.

Shkollat përgjithësisht sigurojnë viza për shtetas turq, pothuajse të gjithë meshkuj, të cilët japin mësim dhe janë anëtarë të bordeve të këtyre shkollave.

Kritikët e zotit Gulen përmendin një video të vitit 1999, e cila thuhet se është marrë nga një fjalim i tij, ku ai citohet të thotë:

“Duhet të lëvizni nëpër arteriet e sistemit pa ju pikasur njeri, derisa të mbërrini në majat e pushtetit. Nëse veprohet para kohe, bota do të na godasë, dhe myslimanët do të vuajnë kudo… Ju duhet të prisni momentin kur të jeni të përmbushur dhe kur kushtet të jenë pjekur, për ta mbartur më tej të gjithë botën mbi shpatullat tona…”

Zoti Gulen është shprehur se videoja është e manipuluar dhe se qëllimi i vetëm i shkollave është arsimimi.

Në Shtetet e Bashkuara, ka patur aludime se disa prej këtyre shkollave janë përfshirë në kontrata të papërshtatshme dhe se mësuesit ishin urdhëruar të kthenin një pjesë të rrogave të tyre në fondin e organizatës.

Megjithëse FBI-ja nuk është shprehur nëse po i heton këto shkolla, ka patur që nga viti 2011 disa raportime në media që e konfirmojnë këtë gjë.

Organizata e zotit Gulen, e njohur ndryshe me emrin “Hizmet”, i ka mohuar këto akuza.

Turqia ka kërkuar ekstradimin e zotit Gulen nga Shtetet e Bashkuara, ku ai vazhdon të jetojë që nga viti 1999, në një kompleks të ruajtur në shtetin Pennsylvania. Turqia e ka shpalluar organizatën e tij FETO, si një grupim terrorist.

Ankaraja ka goditur mijëra shkolla, fondacione dhe organizata të lidhur me zotin Gulen, që nga përpjekja e dështuar për grusht shteti. Autoritetet turke kanë shkarkuar mbi 100 mijë punonjës qeverie të akuzuar se kanë lidhje me zotin Gulen, si dhe ka burgosur 50 mijë persona.

500 vetë, ndër ta edhe gjeneralë madhorë të ushtrisë, janë në proces gjyqësor. Vetë zoti Gulen po gjykohet në mungesë.

Fushata kundër sipërmarrjeve të tij është shtrirë edhe jashtë vendit. Gjatë çdo udhëtimi jashtë Turqisë të Presidentit Erdogan, ka patur njoftime se ai ka ushtruar presion që shkollat e lidhura me zotin Gulen të mbyllen ose të transferohen tek ndonjë fondacion turk.

Një zyrtar i ambasadës së Turqisë në Uashington, i tha Zërit të Amerikës se “këto shkolla janë një ndër mënyrat që FETO financon operacionet e saj. Ato janë burim të ardhurash dhe mund të përdoren si një burim rekrutimi të ndjekësve të ardhshëm”.

Deri më tani janë mbyllur shkolla në mbi 10 vende. Në disa vende, si Arabia Saudite dhe Malajzia, mësuesit dhe stafi janë deportuar drejt Turqisë. Madje në Turkmenistan, gjykata dënoi 18 persona me 25 vite burgim, si dhe konfiskoi pronat e tyre.

Që nga periudha e puçit të dështuar, presioni i Ankarasë është shtuar. Megjithatë, disa vende i kanë rezistuar këtij presioni./VoA