Turqia kërcënon Evropën me 15 mijë refugjatë në muaj

Turqia kërcënon Evropën me 15 mijë refugjatë në muaj

Turqia ka kërcënuar se do të dërgoj 15 mijë refugjatë për çdo muaj në Bashkimin Evropian, duke e përshkallëzuar mospajtimin diplomatik me BE-në.

Ankaraja ka tërhequr vërejtjen se mund ta anuloj marrëveshjen e vitit 2016 me BE-në për kufizimin e fluksit të refugjatëve në BE. Kjo lëvizje konsiderohet se është përgjigje për mos lejimin e ministrave të Turqisë, që të mbajnë tubime nëpër vendet anëtare të BE-së.

Ministri i brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu, tha mbrëmë vonë se Ankaraja mund “ta godasë” Brukselin duke e hapur rrugën për mijëra refugjatë për të arritur në BE.

Ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, pardje, po ashtu, është kërcënuar me anulimin e marrëveshjes.

Një zëdhënës i qeverisë Gjermane tha sot se nuk ka shenja se marrëveshja është pezulluar nga Ankaraja.

Kriza diplomatike ndërmjet Turqisë dhe Bashkimit Evropian u përshkallëzua pasi Holanda dhe Gjermania nuk i lejuan ministrat e qeverisë së Turqisë të flasin në tubimet e ndryshme për të kërkuar votën e shtetesve turq, që jetojnë në vendet evropiane, në referendumin e 16 prillit, me të cilin synohet rritja e autoriteteve të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, njofton REL.

Zoti Erdogan, nga ana tjetër, e ka akuzuar Gjermnainë për “praktika naziste” dhe e ka fajësuar Holandën për masakrën e Srebrenicës në vitin 1995.