Turqia ka arrestuar mbi 1.600 të dyshuar për terrorizëm

Turqia ka arrestuar mbi 1.600 të dyshuar për terrorizëm

Javën e kaluar Turqia ka arrestuar mbi 1.600 të dyshuar për terrorizëm, njoftoi të hënën Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Turqisë.

“Në shifrat e publikuara përfshihen 1.218 pjesëtarë të dyshuar të organizatës terroriste FETO, përgjegjëse për puçin e dështuar më 15 korrik, 372 pjesëtarë të dyshuar të organizatës terroriste PKK dhe 75 të DEASH-it”, thuhet në njoftim.

Nga qershori i vitit 2015 e këndej, Turqia disa herë ka qenë e goditur nga sulme me bombë dhe armë të cilat kanë shkaktuar qindra të vdekur, shkruan agjencia turke e lajmeve Anadolu.

Sulmet terroriste zakonisht janë marrë përsipër ose i janë atribuuar PKK-së ose DEASH-it.

Në njoftimin e Ministrisë së Brendshme thuhet se pjesëtarët e saj kanë kryer 228 operacione kundër PKK-së në të cilat janë vrarë pesë të dyshuar dhe një tjetër ka mbetur i plagosur. Nga 372 të arrestuarit e PKK-së, 36 mbahen në paraburgim duke pritur gjykimin.