Turqi, gjendja e emergjencës pas puçit mund të zgjatet

29.09.2016 21:41
Turqi, gjendja e emergjencës pas puçit mund të zgjatet

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan la të kuptohet këtë të enjte se gjendja tremujore e emergjencës, e shpallur pas tentativës së dështuar për grusht shteti të 15 korrikut, mund të zgjatet për një periudhë njëvjeçare.

Duke folur përpara një grupi administratorësh lokalë në Ankara, Erdogan hodhi poshtë kritikat mbi planet e Turqisë për të zgjatur gjendjen e emergjencës, duke thënë se askush nuk duhet të përcaktojë “kalendarin apo udhërrëfyesin” për Turqinë.

“Prisni, të tregohemi të durueshëm. Edhe 12 muaj mund të mos jenë të mjaftueshëm”, tha Erdogan.

Komentet e tij vijnë një ditë pasi Këshilli kombëtar i Sigurisë rekomandoi shtyrjen e gjendjes së emergjencës, e cila hyri në fuqi më 20 korrik, edhe për 3 muaj të tjerë.

Këshilli i Sigurisë, i përbërë nga udhëheqës politik e ushtarakë dhe i kryesuar nga Erdogan, bëri të ditur gjatë së mërkurës se zgjatja e gjendjes së emergjencës ishte e nevojshme, në mënyrë që “të merren masat për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e qytetarëve”.

“Shteti ynë ka nevojë për kohë për t’u pastruar nga zgjatimet e këtyre organizatave terroriste. Deri më tani jemi duke garuar me kohën. Çështja është aq e thellë dhe e komplikuar, saqë kuptohet se 3 muaj nuk do të jenë të mjaftueshme”, tha ai.

Qeveria turke akuzon klerikun mysliman, që jeton në ekzil të vetimponuar në SHBA, Fethullah Gulen, si ideatorin dhe organizatorin e grushtit të dështuar të shtetit. Gjendja e emergjencës i lejon qeverisë të kalojë ligje përmes dekreteve, duke lehtësuar në këtë mënyrë spastrimin masiv të anëtarëve të lëvizjes së klerikut.

Turqia ka arrestuar rreth 32 mijë persona në lidhje me grushtin e shtetit. Dhjetëra mijëra të tjerë janë shkarkuar apo pezulluar nga administrata qeveritare, përfshi këtu policë, ushtarakë dhe juristë.