“Turp për policinë, më dëmtuan biznesin” – pronari i Zone Club paralajmëron padi

14.08.2017 16:33

Por, njëri nga pronarët e "Zone Club", Dekorim Sahiti i ka thënë Gazetës Online Insajderi se Policia e Kosovës arrestoi dy personat nga stafi menaxhues i biznesit, vetëm për të justifikuar operacionin e dështuar të tyre.

“Turp për policinë, më dëmtuan biznesin” – pronari i Zone Club paralajmëron padi

Policia e Kosovës arrestoi dy anëtarë të stafit menaxhues të klubit të natës “Zone” në Prishtinë të premtën e 11 gushtit, pasi sipas policisë, të dy personat nuk kishin pranuar të zbatojnë urdhërat e policëve në detyrë zyrtare.

Policia e Kosovës kishte pritur tre ditë për të njoftuar për aksionin e ndërmarr në “Zone Club”, kur përmes një njoftimi për shtyp deklaruan se dy personat e arrestuar në klubin e natës në Prishtinë ishin sjellë në “mënyrë arrogante me njësitet policore”.

“Gjatë operacionit njësitet policore janë ballafaquar me mosbashkëpunim dhe sjellje arrogante nga ana e dy personave të dyshuar të cilët janë shoqëruar në stacion policor”, njoftoi sot Policia e Kosovës, raporton Insajderi.

Por, njëri nga pronarët e “Zone Club”, Dekorim Sahiti i ka thënë Gazetës Online Insajderi se Policia e Kosovës arrestoi dy personat nga stafi menaxhues i biznesit, vetëm për të justifikuar operacionin e dështuar të tyre.

“Policia e ka jep një arsyetim vetëm sa mos të dalë komplet gabim, siç ka qenë i gjithë operacioni”, deklaroi Sahiti për Insajderin, derisa u shpreh se deklarata e Policisë së Kosovës rreth bastisjes së “Zone Club” ka qenë kontradiktore.

Sahiti thotë se dy anëtarët e stafit të “Zone Club” janë rrahur nga ana e policisë deri sa janë bartur në veturën zyrtare të personave zyrtarë. Por, ai thotë se i tërë stafi i klubit të natës i kishte pritur mirë njësitet policore të premtën.

“Faktikisht ne jemi sjell shumë mirë me policinë… i kemi pritur shumë mirë. Vet policia ka thënë se kemi kontroll rutinore, dhe më pas një pjesë tjetër e policisë kanë shkuar dhe i kanë arrestuar dy personat e stafit”, ka thënë Sahiti.

Po ashtu, njëri nga katër aksionarët e “Zone Club” shprehet se dy anëtarët e arrestuar të klubit të natës kanë bashkëpunuar me policinë, pavarësisht se deklarata e Policisë së Kosovës e thotë të kundërtën.

“Faktikisht edhe me policët në stacion kur i kanë dërguar këta dy janë mundu edhe deklaratat me ia ndërru vetëm pse e kanë pa që kanë gabu komplet”, ka thënë ai.

Për Sahitin këto veprime të policisë janë keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe se për këtë menaxhmenti i “Zone Club”, siç deklaron ai, janë duke përgaditur një padi.

“Në mesin e 3 mijë personave me ma dëmtu biznesin dhe me u futë me njësi speciale, dhe në fund të fundit mos me gjetë asgjë… turp për policinë, turp për gjykatën, turp për të gjithë”, është shprehur Sahiti.

Ndërkaq, të shtunën aksionari tjetër i “Zone Club”, Petrit Kllokoqi ka akuzuar njësitet policore që zhvilluan bastisjen në lokalin e tij të premtën, për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Edhe Kllokoqi pretendon se veprimet e policëve ishin të kundërligjshme.

“Duke qenë se para Zotit dhe ligjit të gjithë jemi të barabartë, mbrëmë, disa nga pjesëtaret e Policisë së Kosovës, e keqpërdorën detyrën zyrtare duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme ndaj menaxhmentit të Zone, stafit dhe klientëve, dhe për këtë ne do të ushtrojmë të drejtën tonë ligjore”, ka thënë Kllokoqi.

E Policia e Kosovës përmes deklaratës së publikuar sot në shtyp, ka thënë se institucioni policor i kryen detyrat vetëm në mënyrë të ligjshme.

“Duke parë publikimet qe po qarkullojnë ne rrjete te ndryshme sociale, rreth këtij operacioni, dëshirojmë që të ju sigurojmë se Policia e Kosovës është institucion që ushtron autorizimet dhe kryen detyrat në mënyrë të ligjshme, të bazuara në Kushtetutë, në ligjet e tjera në fuqi dhe në Kodin e Etikës, gjithmonë me synim që të mbroj jetën, pronën dhe të ofroj siguri për të gjithë personat”, thuhej në komunikatën e policisë. /Insajderi.com