Trump, urdhër të ri për emigrantët

06.03.2017 20:02
Trump, urdhër të ri për emigrantët

Presidenti amerikan Donald Trump ka firmosur një urdhër të ri ekzekutiv që ndalon për 90 ditë të tjera hyrjen në Shtetet e Bashkuara të qytetarëve nga vendet me shumicë myslimane.

Ndryshe nga urdhëri ekzekutiv i mëparshëm, nga lista e vendeve në fjalë është hequr Iraku, që e çon në 6 numrin e shteteve do të preken nga kjo masë.

Sidoqoftë, personat me viza të vlefshme do të lejohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara dhe po ashtu poseduesit e lejes së qëndrimit, të njohur ndryshe si Karta Jeshile.

Konkretisht, qytetarët nga Irani, Libia, Siria, Somalia, Sudani dhe Jemeni do të bëhen sërish subjekt i ndalimit 90-ditor të hyrjes në Amerikë.

Edhe pse refugjatët e pranuar nga Departamenti i Shtetit do të lejohen të hyjnë, urdhëri i ri kufizon numrin e lejuar në 50 mijë njësi në vit.

Direktiva e re gjithashtu heq një ndalim paraprak që ishte vendosur ndaj të gjithë refugjatëve sirianë.

Agjencia e lajmeve “Associated Press” raporton se urdhëri nuk u jep prioritet pakicave fetare, ndryshe nga ai i mëparshmi që ishte kundërshtuar nga kritikët e administratës Trump, me argumentin se tregonte hapur preferencën për refugjatët e krishterë.

Urdhëri i presidentit, që përfshin edhe një ndalim 120-ditor për të gjithë refugjatët, do të hyjë në fuqi më 16 mars për të kufizuar çakordimin e udhëtimeve në rrugë ajrore.

Urdhëri i mëparshëm, që u bllokua nga një gjykatë federale, shkaktoi konfuzion në aeroporte dhe gjithashtu protesta masive në qytetet kryesore të Amerikës.