Trump nuk siguron votat për zhbërjen e Obamacare

25.03.2017 08:05
Trump nuk siguron votat për zhbërjen e Obamacare

Udhëheqësit republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve morën vendimin për të tërhequr legjislacionin që do të rishikonte sistemin e kujdesit shëndetësor amerikan nga votimi i kësaj të premteje.

Kjo për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme, pavarësisht lobimit dëshpërues të Shtëpisë së Bardhë dhe aleatëve të saj në Kongres, duke i dhënë kështu një goditje të rëndë presidentit Trump.

Krerët republikanë kishin planifikuar të votonin projektligjin në fjalë, edhe pse Trump kishte ndërprerë negociatat me konservatorët e tjerë që nuk mbështesnin planin dhe kishte dhënë ultimatum për ta votuar atë, një ultimatum “për jetë a vdekje”.

Ende mbetet e paqartë nëse projektligji do të programohet për një votim në të ardhmen, ndërkohë që Trump i tha “Ëashington Post”-it se “ne thjesht e tërhoqëm nga votimi”.

Mes një beteje kaotike për sigurimin e votave të nevojshme, kreu i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan, i cili e kishte përkrahur projektligjin, u takua me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë përpara se ai të votohej në dhomën e ulët e ndërsa kishte orë që debatohej.

Pa kalimin e këtij projektligji në Kongres, arritja më e madhe dhe trashëgimia e ish-presidentit Barack Obama, pikërisht Akti për Kujdesin e Përballueshëm Shëndetësor i vitit 2010 i njohur edhe si “Obamacare”, do të mbetet në fuqi pavarësisht premtimeve 7-vjeçare të republikanëve për ta zhbërë atë.

Zhbërja dhe zëvendësimi i “Obamacare” ishte edhe një nga premtimet kyç të fushatës së Trumpit gjatë presidencialeve 2016, sikurse edhe nga shumica e kandidatëve të tjerë republikanë.