Trump ndryshon qëndrim, vetëm lëvdata për Presidentin kinez

09.11.2017 09:31
Trump ndryshon qëndrim, vetëm lëvdata për Presidentin kinez

Në të kaluarën i ka kritikuar shpesh ato që i quante praktika të padrejta tregtare të Kinës, por gjatë vizitës së tij në Pekin, Presidenti amerikan Donald Trump kishte rezervuar lëvdata për udhëheqësin Xi Jinping.

Pas një takimi dyorësh me presidentin kinez, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se nuk e fajësonte Kinën për faktin se përfitonte nga dallimet në mënyrat se si dy vendet bëjnë biznes, transmeton TCH..

“Nuk e fajësoj Kinën. Në fund të fundit, kush mund ta fajësojë një vend për faktin se është në gjendje të përfitojë nga një shtet tjetër për hir të qytetarëve të vet? Madje, e vlerësoj Kinën për këtë”, tha Trump.

Trump, të cilit iu rezervua një pritje madhështore, vizitoi kryeqytetin kinez si pjesë e një udhëtimi në 5 shtete të Azisë. Dy liderët njoftuan gjithashtu se vendet e tyre kishin nënshkruar marrëveshje biznesi prej 250 miliardë dollarësh, edhe pse nuk është e qartë nëse këtu përfshihen edhe ujdi të së kaluarës. Bisedimet lidhur me kërcënimin bërthamor nga Koreja e Veriut dominuan axhendën e Trumpit. Në fjalimet e mbajtura gjatë së enjtes, numri një i Uashingtonit tha se Kina, aletati kryesor ekonomik i Penianit, mund ta ndreqë problemin me lehtësi dhe shpejt. Pekini këmbëngul vazhdimisht se po bën gjithçka ka në dorë, por Trump shtoi: “I kërkoj Presidentit Jinping të punojë fort. Unë di një gjë për liderin tuaj, nëse ai përpiqet me të vërtetë, mund të realizojë çdo gjë”.

Ai e falendroi Presidentin kinez disa herë për përpjekje të tilla si kufizimi i tregtisë me Penianin, duke i thënë në një pikë se ai ishte shumë special.

Nga ana e tij, Jinping deklaroi se të dyja palët do të vazhdojnë të punojnë për implementimin e sanksioneve të OKB-së dhe paqen e qëndrueshme në Gadishullin Korean.